Qeveria me masë të re për punësim – Përfituesi s’duhet të ketë asnjë anëtar të punësuar

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka prezantuar skemën e re në kuadër të masave të punësimit, për qytetarët. Ai ka thënë se Qeveria synon që të garantojë që çdo familje të ketë së paku një anëtar të punësuar, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën për medie të hënën, shefi i kuletës së shtetit ka thënë se shteti do t’ia subvencionojë deri në 70 për qind pagën, pra deri në 300 euro për periudhën gjashtë mujore.

“Kemi edhe një masë të për punësimin e mbajtësve të familjes. Si Qeveri jemi munduar të marrim masa për t’u dalë në ndihmë qytetarëve. Kemi dorëzuar në kuvend edhe ligjin për pagë minimale dhe marrëveshjen për reformën e skemës sociale. Bizneset që janë të interesuar të punësojnë mbajtës të familjes do t’i mbështesim deri në 70 për qind të pagës bruto. Ne do t’i publikojmë kriteret dhe ata persona që nuk kanë të punësuar duhet të lajmërohen në agjencinë për punësim dhe të tregojnë për cilat fusha kanë aftësi”, ka thënë Murati.

Ai tutje ka bërë të ditur se kushti kryesor për të përfituar nga kjo skemë është që punëkërkuesi nuk ka të punësuar asnjë anëtar të familjes.

“Duhet të regjistrohen në zyra rajonale dhe të sjellin kopje e letërnjoftimit të pronarit. Punëkërkuesit duhet të jenë 18 deri 64 vjeç dhe të mos kenë asnjë anëtar të familjes të punësuar. Duhet të sjellin kopje të letërnjoftimit, diplomës dhe CV-në. Të gjitha mund të bëhen pjesë e kësaj skeme dhe që nga sot dhe po realizohet një premtim më tepër i kësaj qeverie dhe synimi është të rrisim vende pune”, ka thënë tutje ai.

Kategoritë
LajmeVendi