Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka theksuar se qeveria nuk ka të bëjë as me serverët e as me software-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor.
Kryeziu ka sqaruar se KQZ kishte pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë kurse prokurimi për software-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion.
“Akuzat në drejtim të Qeverisë për problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së janë përpjekje e ulët për të shkaktuar huti me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij. Falënderojmë qytetarët për pjesëmarrjen e madhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, qytetarinë e lartë të treguar përgjatë procesit të votimit dhe për aktivizmin qytetar për të raportuar çdo lëshim apo gabim të evidentuar gjatë numërimit të votave”, pohoi ai.
Po ashtu, ai ka deklaruar se vota e gjithsecilit do të mbrohet, vullneti i qytetarëve nuk do të tjetërsohet./Telegrafi/