Gurakuç Kuçi nga Instituti Octopus ka treguar për vendimin e Qeverisë së Serbisë për të ndihmuar serbët e arrestuar për krime lufte në Kosovë, duke thënë se një vendim i tillë ngjason me politikat e Rusisë pas aneksimit të Krimesë më 2014.
Ai në postim në Facebook shkruan se Qeveria e Serbisë ka miratuar vendimin për të ndarë një ndihmë financiare prej 2.559 eurosh (300 mijë dinarë) për personat (shuma për individ) e arrestuar në Kosovë nën dyshimin për kryerjen e krimeve të luftës gjatë viteve 1998–1999.
“Ky akt, i paprecedentë në praktikën bashkëkohore të marrëdhënieve ndërkombëtare, paraqet një shembull flagrant të mbështetjes shtetërore për individë të dyshuar për krime të rënda ndërkombëtare. Në aspektin politik dhe juridik, kjo politikë është e krahasueshme me praktikat e Federatës Ruse pas aneksimit të Krimesë, ku Rusia ka financuar mbrojtjen dhe ka ofruar ndihmë për individë të akuzuar për krime në territorin e Ukrainës, duke i cilësuar si ‘të persekutuar politikisht’”, thuhet në reagim.
Duke refuzuar të hetojë dhe ndjekë penalisht autorët e krimeve të luftës dhe sulmeve terroriste kundër Kosovës, Kuçi thotë se Serbia jo vetëm që minon detyrimet e saj ndërkombëtare, por aktivisht promovon kulturën e mos ndëshkimit.
“Mbështetja financiare për individë të akuzuar për krime lufte nuk është vetëm një akt mosbashkëpunimi me drejtësinë ndërkombëtare, por përbën një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj parimeve themelore të rendit ndërkombëtar juridik.
Me vendimin e saj, Serbia ka shkelur Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (1948), e cila imponon detyrimin për të parandaluar dhe ndëshkuar autorët e krimeve më të rënda kundër njerëzimit; Statutin e Romës të Gjykatës Penale Ndërkombëtare (1998), që synon eliminimin e mos ndëshkimit për krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shkruan ai.
Sipas tij, për më tepër, duke pretenduar se mbështet të drejtën ndërkombëtare në retorikën diplomatike, ndërkohë që në praktikë saboton proceset e drejtësisë dhe mbron individët e dyshuar për krime të rënda, Serbia dëshmon për një vazhdimësi ideologjike dhe politike me trashëgiminë e regjimit të Slobodan Millosheviq.
Kuçi thotë se Serbia paraqet një rrezik serioz për paqen, sigurinë dhe drejtësinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke nxitur tensione të reja ndëretnike dhe duke minuar përpjekjet ndërkombëtare për pajtim dhe ndërtim të shtetit të së drejtës në Kosovë.
“…Serbia pozicionon veten si një faktor destabiliteti dhe jo si një kontribuues ndaj paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar, duke bërë të qartë mospërputhjen midis diskursit të saj diplomatik dhe praktikave konkrete në terren”, shkruan ai Kuçi.