Qe prej se Qeveria i çoi komentet në Bruksel më 16 korrik për atë se si duhet të zbatohet marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, kjo çështje është “zhdukur” nga rendi i ditës. Brukseli formalisht ia zgjati mandatin më 26 korrik sllovakut Miroslav Lajçak, por prej tij s’ka pasë ndonjë lajm të ri së voni. Të premten, Qeverisë iu përmend Asociacioni nga një zyrtar i Bashkimit Europian me kërkesën që ai të çohet në Gjykatë Kushtetuese, përgjigjja nga Prishtina ishte e sertë.
Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, në fund të mandatit të tij, më 26 qershor, u përpoq edhe njëherë që t’i vë ballë për ballë kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq me synimin që të shtyjë ata për ta zbatuar marrëveshjen e arritur në Bruksel e Ohër. Përpjekja e spanjollit dështoi – meqë Kurti refuzoi takimin trepalësh pa u plotësuar tri kushte që i vendosi ai – për t’u pasuar me një periudhë bllokimi.
Pas këtyre takimeve, Kurti në Bruksel këmbënguli në qëndrimin e tij se Asociacioni nuk mund të vendoset mbi pikat e tjera të marrëveshjes
“Nuk mund të lejojmë që Marrëveshja Bazike të hidhet në prapavijë duke e bërë çështje urgjente Asociacionin, apo duke e vendosur atë në qendër”, tha Kurti, i cili paraprakisht deklaroi se Asociacioni është një pikë e dakorduar nga qeveritë e kaluara.
“Nuk e mohojmë trashëgiminë e qeverive të mëhershme, mirëpo Marrëveshja Bazike duhet të mbrohet në thelbin e saj”.
Që nga qershori, Kurti s’është fort me temat që lidhen me Brukselin, ndërsa ndërmjetësit europianë nuk kanë dhënë ndonjë shenjë se do të ketë takime të radhës Kosovë-Serbi derisa Borrell është ende në krye të diplomacisë.
Një koment së fundi ka ardhur nga presidentja Vjosa Osmani, e cila u shpreh më e gatshme që të ecet përpara me Asociacionin duke e dërguar në Gjykatë Kushtetuese – një kërkesë kjo që iu bë Kosovës kusht për anëtarësim në Këshillin e Europës në maj.
Duke thënë se Asociacionit duhet të lëvizë përpara, Osmani e potencoi se kjo nuk nënkupton që Kosova është e gatshme të bëjë koncesione që e dëmtojnë funksionalitetin e saj, kufijtë e saj, parimin e unitaritetit të shtetit, si dhe parimet që janë në Kushtetutën aktuale dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Asociacioni mund të krijohet, mirëpo vetëm brenda këtyre suazave, pa e rrezikuar Kosovën apo edhe sigurinë në rajon në të ardhmen. Prapë, siç e kam thënë edhe në intervista paraprake, mendoj që Kosova do të duhet të ishte e gatshme të ecë përpara në qoftë se nga partnerët tanë ofrohen garanci të qarta të sigurisë dhe garanci për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe me njohje”, kishte thënë Osmani në një intervistë për Zërin e Amerikës.
Megjithatë, Osmani qëndron në një linjë me kryeministrin Kurti në çështjen që pikat e Marrëveshjes Bazike të mos mbivendosen.
“Natyrisht që i takon Kosovës që të ndërmarrë hapa për Asociacionin dhe i takon Serbisë që të ndërmarrë hapa drejt njohjes de fakto. Të dyja janë në marrëveshjen e njëjtë. Ne nuk mund t’i injorojmë nenet 1 deri 6 dhe të kërcejmë vetëm tek neni 7 dhe të kërkojmë vetëm zbatimin e një neni. Kosova nuk po thotë që nuk do të formohet Asociacioni”.
Ndërkohë, nga Brukseli së fundi ka ardhur një kërkesë për Kosovën që draftin e statutit të Asociacionit ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese.
Komisioneri për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, në konferencën e Komisioneve Parlamentare për (COSAC) në Budapest, dje tha se zbatimi duhet të nisë me Asociacionin.
“Është e qartë se rrugët europiane të Serbisë dhe Kosovës kalojnë përmes dialogut. Presim që palët të vazhdojnë përpjekjet e vazhdueshme për de-përshkallëzim dhe përparim në zbatimin e obligimeve të tyre në kuadër të dialogut – duke filluar me dërgimin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës”, tha ai në fjalim të publikuar nga faqjazyrtare e BE-së.
Kërkesa që draft-statuti i Asociacionit të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese nxiti një përgjigje të ashpër të Qeverisë.
“E pashë sugjerimin tuaj, z Varhelyi, për Asociacionin në Kosovë, pa e përmendur Marrëveshjen Themelore të Brukselit, njohjen reciproke dhe raportet e mira fqinjësore. Ndoshta është më mirë për ju të fokusoheni në zgjerimin e BE-së, meqë dialogu është në portfolion e dikujt tjetër”, reagoi Jeton Zulfaj, këshilltar i kryeministrit Kurti.
Kërkesa për dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese ishte edhe pengesa që e ndali hovin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës.
Pas votimit me shumicë në Asamblenë Parlamentare pro anëtarësimit të Kosovës në KiE, Gjermania, Franca dhe Italia dolën me këtë kusht në mënyrë që Kosova të kishte sukses edhe në Komitet të Ministrave të kësaj organizate ku do të merrej vendimi përfundimtar. Megjithatë, Kurti sërish nguli këmbë dhe Kosova as nuk hyri në agjendën e këtij takimi në maj.