Qeveria e Kosovës ka lëshuar të enjten një komunikatë për zhvillimet në Bruksel, ku kryeministri Albin Kurti është takuar me funksionarë të lartë evropianë.
Kurti ka deklaruar se ka qenë i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen bazë në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike, ka treguar Qeveria.
Por, ekzekutivi thotë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka pasur kërkesa që e zhbëjnë marrëveshjen bazike.
’Presidenti i Serbisë, Vuciq, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023”, thuhet në njofitm.