Qytetarët marshojnë kundër dhunës ndaj grave më 8 Mars

Me thirrjet “Poshtë patriarkati”, “Edhe sa gra të dhunuara”, “Vrasjet e grave janë të paralajmëruara”, kolektivi “Marshojmë s’festojmë” nisi protestën nga Pallati i Drejtësisë në Hajvali të Prishtinës

Me rastin e 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, qindra qytetarë kanë marshuar duke ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave, raporton Anadolu.

Me thirrjet “Poshtë patriarkati”, “Edhe sa gra të dhunuara”, “Vrasjet e grave janë të paralajmëruara”, kolektivi “Marshojmë s’festojmë” nisi protestën nga Pallati i Drejtësisë në Hajvali të Prishtinës në kërkim të respektimit të të drejtave të grave në Kosovë.

Më pas, protestuesit marshuan nga Pallati i Drejtësisë drejtë sheshit “Zahir Pajaziti” ndërsa prej aty drejt Prokurorisë Speciale në Prishtinë dhe Stacionit të Policisë ku përplasën tenxheret dhe tiganët duke thirrur “Policia i ka duart me gjak” dhe “Poshtë policia patriarkale”, duke u ndalur së fundmi para Qeverisë së Kosovës.

Merishane Syla nga kolektivi “Marshojmë s’festojmë”, tha se gratë nga të gjitha vendet e Kosovës, të gjitha etnitë dhe të profesionet kanë më shumë të përbashkëta se sa dallime.

Syla tha se më shumë se 50 gra janë vrarë në më pak se 15 vite në Kosovë dhe vetëm pak më shumë se 2 mijë gra gjatë një viti e raportojnë dhunën.

“Ne punojmë në dhe jashtë shtëpisë. Koha jonë më e madhe gjatë ditës u kushtohet të tjerëve: pastrim, gatim, kujdes dhe pak nga ne marrin pagë për këtë punë. Pak nga ne jemi në politikë. Asnjë nga ne nuk udhëheqim në ndonjë komunë. Nga ne pritet të pastrojmë shtëpitë në të cilat jetojmë por pak nga ne jemi pronare të këtyre shtëpive. Ne na thonë lindim në derë të huaj e shkojmë në derë të huaj”, tha Syla.

Syla tha se duhet të ruhet me kujdes çdo e drejtë e fituar për gratë sepse ato sot janë në rrezik. Ajo tha se gratë duhet të jenë bashkë për të njohur sfidat e njëra-tjetrës dhe të vlerësojnë të arriturat e njëra-tjetrës.

Protesta të ngjashme janë mbajtur edhe vitet e kaluara në Kosovë në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas.

Kategoritë
LajmeVendi