Qytetarët serbë në veri të Kosovës, që financohen nga shteti serb, janë mbledhur në sheshin kryesor të Mitrovicës së Veriut për të votuar, si rëndom, së bashku në zgjedhje.
Kjo është hera e parë që ata u rikthehen kutive të votimit prej vitit 2022, kur Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – ishte tërhequr nga institucionet e Kosovës dhe u kishte bërë thirrje serbëve që t’i bojkotonin proceset e ardhshme zgjedhore. Organizimit të serbëve të dielën u është bashkëngjitur kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, i cili ka votuar në shkollën fillore Sveti Sava.
Në zgjedhjet e së dielës marrin pjesë gjashtë subjekte politike që përfaqësojnë komunitetin serb: Lista Serbe, Lëvizja Popullore Serbe, Demokracia Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës, Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë dhe Nisma Qytetare Drejtësia Popullore.