Qytetarët shprehen pro koalicionit VV dhe opozitë

Dymbëdhjetë ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, për kosovarët është më mirë të krijohet një qeveri pozitë-opozitë sesa të zvarritet konstituimi i organeve të reja, raporton Ekonomia Online.

Disa qytetarë shprehin mbështetje për krijimin e një koalicioni ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe kreut të saj, Albin Kurti, me ndonjërën nga partitë opozitare, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit politik për stabilitetin e vendit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Nexhmedin Llapashtica theksoi se ka ardhur koha që të gjitha partitë të bashkëpunojnë për të sjellë vendime të mëdha.

“Edhe këtu në këtë qeveri është duke u bërë një dreq i madh. SHBA dhe BE kanë një qëllim që të mos ketë vetëm një parti pushteti, por të jenë të gjitha partitë, sepse ato do të sjellin vendime të mëdha për këtë shtet. Do të zyrëtarizohet pjesa e tetë mijë hektarëve që Ramush Haradinaj i ka dhënë. Duhet të jenë të gjitha partitë në Kuvend të barabarta, të gjithë të njëjtë, duhet të gjithë të bëjnë koalicion,” ka thënë ai.

Llapashtica thotë se qytetarët duhet të dilnin në zgjedhje më shumë.

“E keqja e qytetarëve është shumë e madhe, ata që nuk dolën për mbi 46 për qind. Sikur qytetarët të dilnin mbi 80 për qind, do të vendosnin këta dhe do të thoshin se janë përfaqësues të popullit tonë. Këta nuk janë përfaqësues të popullit tonë, por të votuesve. Prandaj, duhet të jenë të vetëdijshëm qytetarët dhe të dalin në zgjedhje që të kenë të drejtën për përfaqësim në shtet,” ka thënë Llapashtica për Ekonomia Online.

Ndërsa, një tjetër qytetar, Seadi, u shpreh se pa koalicion nuk do të ketë avancim, duke shfaqur dëshpërim për politikat aktuale dhe mungesën e besimit te liderët politikë.

“Duhet të bëhet një koalicion me dikë, përndryshe nuk bëhet, do të zgjatet dhe do të zvarritet gjithë kohën. Jam lodhur prej të gjithëve. Po them të vërtetën, nuk kam më besim. Po bëjnë rokada: ti ia jep dikujt votën, ai bën koalicion me dikë tjetër që nuk e ke simpatizim dhe nuk ia vlen,” ka theksuar qytetari.

Nga ana tjetër, Sylë Hoti theksoi se vendimet duhet të merren në përputhje me ligjin, duke kritikuar mungesën e përgjegjësisë politike.

“Kurti nuk i ka blerë diplomat e tij, dhe në botën demokratike është e drejta e shprehjes së lirë, por ajo shprehje duhet të jetë e drejtë. Kur ajo nuk është e drejtë, duhet pasur përgjegjësi para ligjit. Mirëpo, ne me shekuj jemi kështu. Pranvera kur vjen, nuk del vetëm një lule dhe me një lule pranvera nuk bëhet. Edhe ky vetëm nuk mund të bëjë asgjë. Përderisa ata që janë zgjedhur nga populli për vota dhe nuk mendojnë për popullin, por për interesat e tyre, shpresojmë që një ditë do të bëhet mirë,” deklaroi Hoti

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi