Japonia javën e ardhshme do të rikthejë patrullat e përbashkëta policore me personelin ushtarak amerikan në prefekturën jugore Okinawa, mes shqetësimeve në rritje për rastet e dhunës seksuale ku janë përfshirë ushtarë amerikanë, raportuan të enjten mediat.
Patrullat, të parat të këtij lloji në këtë prefekturë që nga viti 1974, do të zhvillohen në zonat e frekuentuara të jetës së natës, nga orët e mbrëmjes deri në mëngjes herët, me qëllim që të parandalohet që ushtarët amerikanë të qëndrojnë jashtë gjatë gjithë natës, raportoi Kyodo News.
Okinawa strehon 31 baza ushtarake ekskluzivisht amerikane, që përbëjnë 70.3 për qind të objekteve të tilla në Japoni për nga sipërfaqja. Ishulli është shtëpia e rreth gjysmës së 50.000 ushtarëve amerikanë të dislokuar në vend në kuadër të marrëveshjes së sigurisë.
Janë regjistruar shumë raste të dhunës seksuale ku janë përfshirë ushtarë amerikanë në Japoni, gjë që ka shkaktuar zemërim publik dhe thirrje të përsëritura për mbikëqyrje më të rreptë.
Policia japoneze më parë ka hezituar të përfshihet në patrullat e përbashkëta për shkak të kufizimeve që rrjedhin nga Marrëveshja për statusin e forcave ndërmjet Japonisë dhe SHBA-së (SOFA), sipas së cilës personeli amerikan i dyshuar për vepra penale nuk mund të ndalohet përveçse nëse kapet në flagrancë ose derisa Japonia të ngrejë formalisht aktakuzë.
Rikthimi i patrullave u miratua pas një takimi të mërkurën mes zyrtarëve ushtarakë amerikanë, policisë së Okinawës si dhe përfaqësuesve të ministrive japoneze të punëve të jashtme dhe të mbrojtjes.
Qindra qytetarë mbajtën protesta në Okinawa në dhjetor, duke kërkuar një falje nga ushtria amerikane pasi një ushtar amerikan ishte përfshirë në një rast të sulmit seksual.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2023 janë regjistruar 118 raste penale në të cilat janë përfshirë ushtarë amerikanë në Japoni. Nga ky numër, 72 raste – që përbëjnë 61 për qind – kanë ndodhur në Okinawa.