Qyteti evropian po përgatitet për pushtimin rus: Kanë hapur llogore, kanë vendosur bunkerë dhe strehimore

I ndodhur në kufi të drejtpërdrejtë me Rusinë, qyteti estonez Narva paraqet një vend ideal për një sulm, në rast se presidenti rus Vladimir Putin vendos të ndërmarrë një pushtim.

Për shkak të afërsisë gjeografike me Rusinë, qyteti është në një pozitë të pafavorshme, pasi që ndodhet në kufi dhe nga rreziku i ndan vetëm një urë.

Popullsia është e ndarë — disa anëtarë të komunitetit rusishtfolës ndiejnë nostalgji për të kaluarën sovjetike, ndërsa të tjerë frikësohen nga ambiciet luftarake të Moskës.

Në dritën e një sulmi të mundshëm, civilët estonezë po ndjekin trajnime ushtarake dhe po përgatiten për çdo skenar të mundshëm.

Në Narva, 95 për qind e popullsisë flet gjuhën ruse. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, ata patën mundësinë të zgjedhin pasaportat e tyre dhe të udhëtojnë lirshëm drejt Rusisë. Kufiri mbeti i hapur, por i ruajtur mirë.

“Unë jetoj në Estoni, por jam shtetas i Rusisë. Deri më 1991, jetonim pa kufij dhe të gjithë ishin të lumtur”, tha një banor për France 24.

Estonezët më të moshuar që flasin rusisht thonë se u mungojnë ditët kur vendi ishte pjesë e bllokut sovjetik. Ata janë në pakicë, por kjo mund të jetë arsye e mjaftueshme për Putinin për të tentuar pushtimin.

“Është e mundur që ai të përdorë situatën e banorëve rusishtfolës të kësaj zone për të avancuar interesat e tij”, tha një tjetër burrë.

Në urën që përfaqëson kalimin kufitar mes dy vendeve, policia estoneze është në gatishmëri të plotë. Mesatarisht, rreth 2000 njerëz e kalojnë kufirin çdo ditë. Policia thotë se kurrë nuk komunikon me kolegët rusë.

“Nuk është puna jonë të flasim me ta”, tha një polic.

Policët shpjegojnë se provokimet ruse janë të vazhdueshme, siç është heqja e boveve që shënojnë kufirin në ujë. Me kalimin e kohës, kërcënimet janë bërë më të drejtpërdrejta.

Përgatitjet për më të keqen janë të domosdoshme dhe tashmë edhe civilët kanë filluar të përgatiten për luftë. Mjekë, avokatë, mekanikë – të gjithë janë pjesë e Ligës Mbrojtëse të Estonisë (EDL), një organizatë vullnetare paraushtarake që synon të mbështesë ushtarët aktivë. Trajnimi përfshin shkatërrimin e dronëve dhe lëvizjen në llogore, pasi kanë frikë se një armëpushim në Ukrainë mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta për ta.

Në Narva janë vendosur disa strehimore në ndërtesat publike. Në rast se bien sirenat e rrezikut, banorët e dinë se ku mund të gjejnë strehë.

Kategoritë
BotaLajme