Qyteti i vogël ukrainas që prishi planet e mëdha të Rusisë

Ishte një prej betejave më vendimtare të luftës deri tani, një përplasje e fuqishme dyditore për kontrollin e qytetit të vogël Voznesensk dhe urës strategjike të tij.

Fitorja do t’u kishte mundësuar forcave ruse që të futeshin edhe më thellë nga bregu i Detit të Zi drejt Odesës dhe një centrali të rëndësishëm bërthamor në Ukrainë. Por trupat ukrainase, të mbështetura nga vullnetarë vendas, arritën të shkatërronin planet e rusëve, fillimisht duke hedhur në erë urën dhe më pas duke detyruar ushtrinë armike që të tërhiqej deri në 100 kilometra në lindje.

“Është e vështirë ta shpjegosh si ia dolëm. Falë shpirtit luftarak të popullit tonë dhe ushtrisë ukrainase”, thotë për BBC kryebashkiaku 32-vjeçar i Voznesensk, Yevheni Velichko.

Por thuajse tri javë pas betejës, ai pranon se një tjetër sulm nga forcat ruse pritet nga momenti në moment.

“Është një pikë strategjike. Nuk po mbrojmë vetëm qytetin tonë, por të gjithë territorin pas tij. Dhe nuk kemi armë të rënda në duar”, tregon Velichko. Në këtë betejë, rol kyç luajtën antitanket e dhuruara nga Britania e Madhe. “Por na duhen më tepër, pasi karvanët me tanke rusë do të vazhdojnë të vijnë”, thotë Velichko.

Sot, mijëra vetë kanë vendosur të largohen nga Voznesensk, por ata që kanë vendosur të qëndrojnë, janë krenarë për fitoren. “Ishte një përpjekje kolosale nga të gjithë”, thotë Alexander, një dyqanxhi i cili filmoi veten në fronin e luftës, me një kallashnikov në dorë, duke bërtitur

“Ejani bukurosha!”, teksa një tjetër vullnetar qëllonte me granata drejt pozicionit të trupave ruse.

“Përdorëm çifte gjahu, tulla, vazo të mëdha… Rusët nuk e dinin nga t’i prisnin sulmet, nuk kam parë kurrë një komunitet të reagojë në këtë mënyrë”.

Në kopshtin e shtëpisë së Svetlana Nikolaevna, shenjat e tankeve ruse janë ende të pranishme. Banesa e saj ndodhet në fshatin Rakove, në jug të qytetit, ku ndodhën edhe disa prej përplasjeve më të forta. Ajo tregon sesi dy ushtarë ukrainas u zunë rob, dhe u mbajtën në magazinën e bashkëshortit të saj, por i shpëtuan ekzekutimit vetëm për shkak të intensifikimit të luftimeve.

Kategoritë
BotaLajme