Rakiq: Do të kemi protesta nëpër institucione, kemi biseduar me Vuçiqin deri në mëngjes

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, në një konferencë për media në Mitrovicë tha se Prishtina, përkatësisht Albin Kurti, është e vetmja përgjegjëse për dështimin e negociatave në Bruksel. Ai ka paralajmëruar protesta në të gjitha institucionet, pa specifikuar se kur do të nisin.

“Deri në mëngjes kemi pasur një takim me presidentin Aleksandar Vuçiq. Në atë takim ishin të pranishëm ministrat, kryeministri dhe drejtori i zyrës për Kosovë e Metohi. Ndoshta ishim të lodhur, por kur pamë shqetësimin e presidentit Vuçiq dhe përkushtimin e tij për zgjidhjen e kësaj krize të shkaktuar nga Prishtina, asgjë nuk ishte e vështirë për ne. Asnjë marrëveshje nuk është arritur në Bruksel dhe Prishtina është shprehimisht përgjegjëse për këtë”, tha Rakiq.

Sipas tij, serbët nga Kosova duan vetëm paqe dhe kërkon që të mos rriten tensionet dhe të mos përdoret forca kundër serbëve.

“Ne serbët nga Kosova vetëm kërkojmë që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen ashtu siç është rënë dakord në Bruksel… Ne duam të jetojmë në paqe, të jemi vetëm dhe të qëndrojmë në vatrat tona shekullore”, tha Rakiq.

Ai ka vlerësuar se tri gjëra “ia kanë marrë kashtën e fundit”, shkarkimi i Nenad Gjuriqit, vendimi i njëanshëm për anulimin e targave dhe formimi i Unionit të Komunave Serbe, i cili ka 10 vite që e pret.

Ai akuzoi njësitë speciale të policisë së Kosovës se çdo ditë i ngacmojnë gratë e nacionalitetit serb.

“Shpresoj se nuk do të na duhet të mbrohemi nga dhuna e Kurtit. Populli është mjaftuar me terrorin dhe torturat e bëra nga Prishtina dhe nuk do ta tolerojë më. Do të kemi protesta në shkolla, spitale, qendra shëndetësore dhe institucione të tjera, sepse gjithçka është mbi kokën tonë. “Çdo ditë njerëzit pyesin: “Pse duhet t’i paguajmë haraçin dhe mizorinë Kurtit”, dhe fjalë për fjalë thonë: “Nuk i kemi paguar as turqit, as Kurtit nuk do t’ia paguajmë”, tha Rakiq.

Kategoritë
LajmeRajoni