Rama: “Ballkani i Hapur” është një projekt paqeje

Kryeministri Rama po qëndron për vizitë në Serbi, në kuadër të takimeve dhe aktiviteteve për nismën “Ballkani i Hapur”

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron për vizitë në Serbi, në kuadër të takimeve dhe aktiviteteve për iniciativën “Ballkani i Hapur”, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë mbërritjes në Beograd, Rama u prit nga Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq, ndërkohë mori pjesë më pas në ceremoninë e hapjes së Panairit në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, së bashku Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe liderë të tjerë nga vendet e rajonit.

Gjatë fjalës së tij në hapje të panairit, kryeministra Rama tha nisma “Ballkani i Hapur” është një projekt paqeje.

“‘Ballkani i Hapur’ është një projekt paqeje dhe është një projekt bashkëjetese në paqe, është një projekt i bashkimit në paqe të një vizioni të përbashkët për të ardhmen, në mënyrë që kjo lagje e vogël në mes të Evropës të mos vuajë më nga hijet e së shkuarës, por të bëhet gjithnjë e më shumë vendi i të ardhmes për të gjithë rininë tonë”, u shpreh Rama.

Kryeministri i Shqipërisë theksoi më tej se kjo nismë është një nismë për njerëzit, dhe sipas tij është një nismë që u takon njerëzve.

“Është një nismë që u takon të gjithë atyre që prodhojnë, të gjithë atyre që eksportojnë, importojnë, të gjithë atyre që ofrojnë shërbime, të gjithë atyre që zhvillojnë industrinë tonë turistike, të gjithë atyre që vizitojnë vendet tona dhe patjetër edhe të gjithë vajzave dhe djemve, të rejave e të rinjve të të gjithë vendeve tona, të cilëve shpresoj që kjo rrugë e hapur t’ju pëlqejë, t’u pëlqejë shumë më tepër sesa rrugët e mbyllura të së shkuarës dhe të kontribuojnë që ta zgjerojnë këtë rrugë dhe ta çojnë gjithnjë e me shumë përpara”, tha ai.

Gjatë qëndrimit të tij në Serbi kryeministri Rama do të realizojë edhe takime me zyrtarë nga vendet e rajonit.

Iniciativa “Ballkani i Hapur” aktualisht mbulon një zonë ekonomike dhe politike midis Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, që synon të nxisë mundësitë e tregtisë, qarkullimit të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit.

Kategoritë
LajmeRajoni