Rama: Do t’i heqim tarifat për gjithë çfarëdo vijë nga Kosova

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama pas vizitës në disa kompani në Kosovë, deklaroi se Shqipëria do t’i heqë të gjitha tarifat doganore me Kosovën, duke nisur nga produktet bujqësore

Gjatë një vizite në fabrikën e prodhimit të miellit në Xërxë të Rahovecit, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dje deklaroi se Shqipëria nuk dëshiron një Ballkan të Hapur, me tarifa të vendosura ndaj Kosovës.

”Ne kemi bërë një plan që do t’i heqim krejt tarifat doganore me Kosovën, do t’i heqim plotësisht. Dëshirën e kemi që të bëhet bilaterale me Qeverinë e Kosovës, por ne do ta bëjmë. Ata kanë kërkuar më shumë kohë për ta analizuar. Po ne do t’i heqim tarifat për gjithë çfarëdo vijë nga Kosova, përjashto atë të skanimit se ajo është e trashëguar dhe s’lëviz, por në gjithë pjesën tjetër më nuk do të ketë më tarifa për të gjithë ata që do eksportojnë nga Kosova në Shqipëri… Anasjelltas duhet ta bëjë Qeveria e Kosovës, por nëse Qeveria e Kosovës do më shumë kohë për ta studiuar, ne do ta bëjmë gjithsesi. Sepse ne nuk duam që ta kemi pa tarifa për Ballkanin e Hapur e mos ta kemi me Kosovën, është e pakuptimtë”, tha Rama.

Ndryshe, sot në Prishtinë do të mbahet mbledhja e tetë e dy qeverive Kosovë- Shqipëri.

Kategoritë
LajmeRajoni