Rama mesazh për zgjedhjet në Turqi: Presidenti Erdoğan është një mik i mirë i ditëve më të vështira

Unë dua të shpreh konsideratën më të lartë për Presidentin Erdoğan, vizioni, kurajoja, vullneti dhe puna e palodhur e të cilit, e ktheu në sytë e krejt botës Türkiye-n në shembullin e një transformimi fantastik”, thekson Rama në mesazhin e tij.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka përcjellë një video-mesazh me rastin e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Türkiye që do të mbahen më 14 maj, ku thekson rëndësinë e zgjedhjeve dhe mbështetjen e shtetit turk dhe presidentit Recep Tayyip Erdoğan ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, transmeton Anadolu.

Në hyrje të mesazhit të publikuar nga zyra e shtypit e Kryeministrisë së Shqipërisë, Rama thekson se Türkiye është përpara një zgjedhjeje me rëndësi të madhe, sipas tij, jo vetëm për kombin dhe popullin turk, po edhe për Ballkanin dhe Evropën.

“Është padiskutim detyra e qytetarëve të Republikës së Türkiye-s të zgjedhin liderin dhe qeverinë që duan. Askush nuk mund dhe nuk di ta bëjë këtë më mirë se ata. Por, në respekt të secilit e të secilës prej tyre, unë dua të shpreh konsideratën më të lartë për Presidentin Erdoğan, vizioni, kurajoja, vullneti dhe puna e palodhur e të cilit, e ktheu në sytë e krejt botës Türkiye-n në shembullin e një transformimi fantastik”.

Rama shton se fuqizimi shembullor i Türkiye-s dhe krijimi i një vetëdijeje të re, tek forca e kombit dhe e shtetit turk, nuk sollën vetëm plot të mira për Türkiye-n e për popullin e saj, “po krijuan edhe vështirësi të mëdha dhe kundërshti të forta, të cilat kulmuan me vënien deri në pikëpyetje të integritetit të institucioneve legjitime të Türkiye, madje edhe të vetës jetës së Presidentit Erdoğan”.

“Unë e di se Presidenti Erdoğan ka kritikë të fortë, ashtu siç ka edhe mbështetës pasionantë dhe me siguri të dyja palët kanë arsyet e tyre legjitime, për të cilat sot Turqia po zhvillon një ballafaqim të zjarrtë. Po unë dua vetëm t’ju them të gjithëve se në kohë kaq të vështira, jo vetëm për Türkiye-n, po për krejt botën e sidomos Evropën, eksperienca dhe karakteri i Presidentit të Republikës së Turqisë – roli i tij për lehtësimin e barrës së madhe të konfliktit në Ukrainë mbi rrugët e furnizimit me grurë të shumë vendeve të rrezikuara nga pesha e atij konflikti apo pesha e gjykimit të tij në përballjen me vatrat kërcënuese të terrorizmit – janë një aset tepër i çmuar, për të mos u marrë parasysh nga të gjithë ata që të dielën e ardhshme do të vendosin për drejtimin që do të marrë Turqia”, thekson Rama.

Rama shprehet se për Shqipërinë dhe shqiptarët Presidenti Erdoğan është një mik i mirë i ditëve më të vështira, sipas tij që nga dita e vendimit për njohjen e Kosovës si shtet, që Türkiye ishte e para e cila e deklaroi sapo Kuvendi i Kosovës shpalli republikën, tek tragjedia e tërmetit në Shqipëri, kur Türkiye mbështeti qindra familje të prekura shqiptare me ndërtimin e shtëpive të reja apo mundësimi i vaksinave kundër virusit vdekjeprurës, kur të tjerët sipas kryeministrit Rama “ishin shumë të zënë me hallin e tyre”.

“Për mua personalisht Presidenti Erdoğan nuk është vetëm një mik i mirë në ditë të vështira, po edhe një lider politik shumë i veçantë, për faktin se thotë atë që bën dhe bën atë që thotë. Disa mendojnë se ai është shumë rigjid dhe i prerë. Mbase kanë të drejtë, po mbase për këtë fazë të historisë së Türkiye-s dhe në këtë botë kaq të paparashikueshme, mospërkulja është pikërisht ajo që i është dashur e i duhet ende një vendi si Türkiye, e cila në 14 maj duhet të vendosë mes vështirësisë për të vazhduar përpara dhe lehtësisë së kthimit mbrapa”, thuhet në mesazhin e Ramës.

Rama shton më tej se “Duke i uruar Türkiye-s dhe popullit turk të gjitha bekimet e Zotit, uroj megjithë zemër që qytetarët turq të kenë parasysh në zgjedhjen e tyre edhe rolin e pazëvendësueshëm të Republikës së Türkiye-s në ekuilibrat e brishtë të kësaj kohe të vështirë për Ballkanin, e për krejt Evropën”.

Kujtojmë se zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Türkiye do të mbahen më 14 maj.

Kategoritë
LajmeRajoni