Rama në Institutin Mbretëror: Lufta në Ukrainë e solli në vete BE-në, pasi ka qenë hipokrite me ne

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës zyrtare në Britaninë e Madhe zhvilloi një bashkëbisedim në auditorin e Institutit Mbretëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare, “Chatham House”.

I pyetur lidhur me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, Rama u shpreh se është e pamundur të parashikojë të ardhmen.

Kjo sipas tij, “edhe BE nuk di gjë për këtë, askush nuk e di”.

“Pjesa e thjeshtë dhe më e vështirë për ne është që duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë. Kjo është thjeshtë, por duhet t’i përmbushim këto detyra jo se duhet ti bëjmë qejfin Berlinit apo Parisit, por se këto detyra janë thelbësore për ta bërë Shqipërinë një demokraci moderne dhe funksionale me institucione të cilat punojnë për njerëzit, për interesin kombëtar dhe Shqipërinë në skenën ndërkombëtare”, theksoi kreu i qeverisë.

Ai nënvizoi se janë rreth 4 mijë ligje që duhet të miratohen.“A do ta bëje Shqipërinë një vend anëtar? Kush e di çfarë do të bëjë BE në të ardhmen. Kemi parë një BE që ka qenë hipokrite me ne, i kishim bërë detyrat e shtëpisë, por nuk ishte e mjaftueshme, sepse ata kishin problemet e tyre. BE është federatë egosh që ndonjëherë nuk pikëtakohen me njëra-tjetrën. Ka 27 zgjedhje për çdo gjë dhe nuk janë në të njëjtën ditë. Kështu që duhet ta lexosh BE duke parë zgjedhjet. Nuk ka rëndësi nëse i bën apo detyrat e shtëpisë, nuk ka rëndësi nëse Komisioni Evropian është i pranishëm pikërisht për të vlerësuar teknikisht dhe jo politikisht, objektivisht dhe jo subjektivisht se sa ka bërë ky shtet punën e vet. Për të thënë, po ky shtet e ka bërë punën e tyre dhe meriton për të çelur bisedimet për anëtarësim”, theksoi Rama.

Kryeministri nënvizoi se “lufta në Ukrainë e solli në vetë BE në aspektin gjeopolitik. Janë më vigjilent dhe e kuptojnë që nuk mund ta lënë Ballkanin jashtë”.

Rama deklaroi se “lufta në Ukrainë e solli në vetë BE kur bëhet fjalë për gjeopolitikën. Tashmë janë më vigjilent dhe e kuptojnë që nuk mund ta lënë Ballkanin jashtë gjithë këtij projekti”.

“Ajo për të cilën lutemi është që BE të vazhdojë te ekzistojë deri sa ne të përmbushim detyrat e shtëpisë dhe pastaj të shpërndahen, është problemi i tyre. Ne duam të jemi një shtet që është demokraci funksionale dhe moderne për brezat e ardhshëm dhe kjo pa BE nuk mund ta bësh këtë”, u shpreh Rama.

Kategoritë
LajmeRajoni