“Mendoj se ajo që po ndodh është emocionuese dhe është një mundësi e shkëlqyer për Evropën që të zgjohet dhe të ri-sajojë veten, sepse nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë”, tha Rama.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me kritikat e fundit në Mynih nga pala amerikane drejtuar kontinentit evropian, ka deklaruar se Evropa duhet “të reflektojë mbi veten” dhe të përpiqet të jetë “më pak vetë-referuese”, raporton Anadolu.
Të premten, zv/presidenti i SHBA-së, JD Vance, në fjalën e tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih akuzoi Evropën për censurimin e fjalës së lirë dhe për mangësi të tjera. Ai kritikoi qëndrimin e qeverive evropiane kundër partive të së djathtës ekstreme, duke pretenduar se Evropa po braktisë “vlerat e përbashkëta demokratike”.
Kryeministri Rama, i cili qëndron në Gjermani në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ka folur për Anadolu.
“Mendoj se në vend që të komentohet ajo që ai (Vance) tha, Evropa duhet të reflektojë mbi veten dhe të përpiqet të jetë më pak vetë-referuese”, tha Rama.
Ai komentoi edhe kërcënimet e SHBA-së për vendosjen e tarifave.
“Mendoj se ajo që po ndodh është emocionuese dhe është një mundësi e shkëlqyer për Evropën që të zgjohet dhe të ri-sajojë veten, sepse nuk mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë”, tha Rama për Anadolu.
Sipas kryeministrit shqiptar, këto zhvillimet e fundit nuk ndodhin vetëm që kur fitoi zgjedhjet presidenti amerikan, Donald Trump, por “ka kohë që Evropa është shumë e vetëkënaqur dhe shumë vetë-referuese”.
Lidhur me zhvillimet e fundit mbi luftën ruse në Ukrainë, Rama tha se “çdo përpjekje për paqe është për t’u lavdëruar dhe pastaj le të shohim”.
Pas telefonatave të ndara javën e kaluar të presidentit Trump me homologun e tij rus, Vladimir Putin dhe atë ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, janë ngjallur spekulime për një nxitje të mundshme për një marrëveshje paqeje midis dy vendeve fqinje.