Rama për zhvillimet në Kosovë: Bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog

“Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE”, ka theksuar kryeministri Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kosovë, duke theksuar se bashkohen me qëndrimet e aleatëve strategjikë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Rama shkruan se bëjnë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog mes Kosovës dhe Serbisë.

“Po e ndjekim me vëmendje të madhe e shqetësim të vërtetë situatën e acaruar në Kosovë dhe bashkohemi me qëndrimet e aleatëve tanë strategjikë, SHBA dhe BE. Ndërkohë që mbështesim plotësisht idenë themelore të Planit Franko-Gjerman bëjmë thirrje për vetëpërmbajtje dhe dialog Kosovë-Serbi”, shkroi Rama.

Më tej, Rama ka shtuar se autoritetet e Kosovës janë në të drejtën e tyre të kenë rezerva për Asociacionin e Komunave Serbe dhe se ai e mirëkupton këtë.

“Por i mirëkuptoj edhe aleatët kur e kërkojnë këtë me ‘forcë’. Prandaj duhet kërkuar një dialog i palodhur me Serbinë për të mos humbur edhe aleatët”, tha Rama.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës

Më 5 dhe 6 nëntor zyrtarët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë Qeverinë, Kuvendin, pozitat e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe, policia, gjyqësori, prokuroria dhe administrata, derisa të dielën serbët e Kosovës protestuan në qendër të Mitrovicës së Veriut.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës pasoi pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes me tre faza të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale që qarkullojnë kryesisht në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës, si dhe pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për pezullimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi zbatimin e vendimit të qeverisë.

Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit deri më 21 nëntor makinat me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin “fleta qortuese” në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, qeveria parasheh që nga 21 nëntori, deri më 21 janar të vitit 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.

Kategoritë
LajmeRajoniVendi