Rama: Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” s’do të mbesin pa punë, angazhimi i operatorit privat është mbështetje për ta

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se nuk do të lejojnë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike. Ai ka shtuar se punëtorët e kompanisë “Pastrimi” nuk do të mbësin pa punë dhe qytetarët nuk do të mbesin pa shërbimin e grumbullimit të mbeturinave.

“Nuk do të lejojmë që pastrimi i kryeqytetit të sabotohet për arsye politike! Punëtorët e kompanisë “Pastrimi” nuk do të mbeten pa punë, dhe qytetarët e kryeqytetit nuk do të mbeten pa shërbimin e grumbullimit të mbeturinave.”

Rama ka thënë se për shkak të “kapaciteteve të pamjaftueshme” të kompanisë “Pastrimi” për t’i përmbushur nevojat e kryeqytetit në muajin maj kanë angazhuar operator privat.

“Për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të kompanisë “Pastrimi” për të përmbushur nevojat e kryeqytetit, që nga muaji maj kemi angazhuar  operator privat, për të garantuar shërbime cilësore të merituara për qytetarët.”

Sipas tij, angazhimi i operatorit privat dhe furnizimi i Kryeqytetit me kontejnerë të rinj kanë “përmirësuar dukshëm” menaxhimin e mbeturinave.

Rama ka thënë se asambleistët e opozitës “po bëjnë përpjekje për të ndryshuar rregulloren që do të pamundësonte ofrim-shërbimin nga operatorët privatë”

Ai shton se një vendim i tillë do të rikthente problemet e mëparshme me mbeturinat, duke rrezikuar shëndetin publik dhe cilësinë e jetesës në Kryeqytet.

Rama në fund ka thënë që angazhimi i operatorit privat është mbështetje për kompaninë “Pastrimi”.

“Shprehim keqardhje për politizimin e këtij shërbimi thelbësor. Penalizimi i qytetarëve për arsye politike është johuman dhe i papranueshëm. Përhapja e dezinformatave se punëtorët do të mbeten pa punë është një përpjekje e ulët për të krijuar frikë dhe panik.  Angazhimi i operatorit privat ishte dhe mbetet një mbështetje për kompaninë “Pastrimi” dhe jo një zëvendësim i saj. Kështu, do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen!”

Sot punëtorët e kompanisë “Pastrimi” kanë protestuar duke thënë që komuna i ka kamionët e rinj por qëllimisht s’po ua jep për përdorim. “Përparim ti ku je, kamionin ku e ke?” ishte një nga thirrjet e tyre.

Ndërsa PDK në Prishtinë ka thënë që kryetari Përparim rama që 3 vjet nuk e ka blerë asnjë kamion dhe se ai po synon ta falimentojë kompaninë “Pastrimi” dhe “t’i lë 900 punëtorë pa punë”.

Kategoritë
LajmeVendi