Rama: Shqipëria është vendi me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik në botë

Para hapjes së Panairit Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin, Kryeministri Rama deklaroi se bazuar në kartën e turizmit të kombeve të bashkuara, deri më tani Shqipëria është vendi me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik në botë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po zhvillon një vizitë në Berlin, në kuadër të Panairit Ndërkombëtar të Turizmit “ITB Berlin 2025”, ku Shqipëria është përzgjedhur si “Vendi i Nderit” për vitin 2025, raporton Anadolu.

Para hapjes së panairit u zhvillua një konferencë për mediat, ku Kryeministri Rama deklaroi se bazuar në kartën e turizmit të kombeve të bashkuara, deri më tani Shqipëria është vendi me rritjen më të shpejtë si destinacion turistik në botë.

“Sot shifra jonë e fundit nga 2024-ta është 11 milionë udhëtarë që kanë kaluar përmes aeroportit të Tiranës, duke tejkaluar shifrat e Beogradit që ka qenë aeroporti më i madh tipik në rajon, në Ballkan, në numër udhëtaresh për vitin e tretë me radhë dhe për disa vjet tashmë mbetemi në treshen kryesore në kartën e Organizatës Botërore të Turizmit së bashku më Katarin dhe Arabinë Saudite si destinacioni me rritjen më të shpejtë”, tha Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se janë në bisedime me aviacionin federal të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pasur fluturim të drejtpërdrejtë me SHBA-në.

“Kemi gjithçka që do një qenie njerëzore dhe e kemi në një distancë shumë të shkurtër, 28 mijë km, por me larminë më të madhe; kemi dy dete, 9 lumenj, shumë male, shumë lugina, shumë liqene dhe po kështu si qershia mbi tortë, kemi shqiptarët”, tha Rama.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, mes 190 vendeve pjesëmarrëse dhe 5.600 ekspozuesve, Shqipëria do të jetë në qendër të vëmendjes globale në këtë panair që mbahet në datat 4-6 mars, si vendi i nderit e përfaqësuar nga turoperatorë dhe hotelierë dhe ekspertë të fushës së turizmit.

Në kuadër të panairit së bashku me kryeministrit Rama në Berlin ndodhen edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja dhe zyrtarë të tjerë.

Ndërkohë, në rrjetet sociale Rama ka publikuar një video ku ai flet në disa gjuhë të ndryshme të botës, përgatitur me Inteligjencën Artificiale, mbi atraksionet turistike të Shqipërisë.

Kategoritë
LajmeRajoni