Ramadani: Ndërhyrja emocionale e institucioneve të Kosovës pengoi hetimet në Ibër-Lepenc

Ish-inspektori i përgjithshëm i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Burim Ramadani, beson se procesin e hetimeve të sulmit terrorist në Ibër-Lepenc i ka penguar ndërhyrja e shpejt emocionale e institucioneve të Kosovës si dhe prezenca fizike e shumë njerëzve.

“Sulmi në Ibër-Lepenc ka qenë i ndërtuar në mënyrë profesionale, në vendin kur pothuajse i tërë kanali e ka vetëm një vend ku nuk ka by-pass, dhe është vendi i saktë. Ka qenë edhe moti me reshje shiu, dhe mundësia e lënieve të gjurmëve ka qenë më e vogël. Ndërhyrja e shpejt emocionale të institucioneve të Kosovës, e domosdoshme e shpejt por emocionale, edhe me prezencën fizike të njerëzve më shumë se a do të duhej të jetë, besoj se mund ta ketë penguar në doza të caktuara procesin hetues”, ka deklaruar Ramadani.

Tutje, Ramadani shton se Kosova të insistojë jo vetëm për ekstradimin e kryeterroristit Milan Radoiçiqit me grupin e tij, por edhe në rimatjen e të dhënave nga aspekti ndërkombëtar sa i përket rastin në Banjskë.

“Kosova duhet të insistojë jo vetëm në ekstradimin e Radoiçiqit dhe grupit të tij, që është jashtëzakonisht e nevojshme, por duhet të insistojë në rimatjen, nëse ka nevojë të të gjitha të dhënave nga aspekti ndërkombëtar, që për rastin Banjska të mbahet përgjegjës shteti i Serbisë, sepse ai ka qenë rasti i pastër, po e them me 500 mijë evidenca që shteti i Serbisë ka qenë ose i përfshirë, ose në njohuri të plotë”, ka shtuar Ramadani.

Po ashtu, ish-inspektori thekson se institucionet e Kosovës nuk duhet të nguten që ta quajnë akt agresioni sulmet ndaj Kosovës, pasi një konstatim i tillë i lë vet ata përgjegjës për mosveprim.

“Unë nuk do të doja që institucionet e Kosovës, dhe sidomos këto politiket dhe të sigurisë të nguten në vlerësimin dhe konstatimin final, sepse konstatimi si akt agresioni i mban përgjegjës pastaj vet institucionet për mosveprim të plotë në proporcion me aktin e agresionit”.

Kategoritë
LajmeVendi