Kreu i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti tha sot gjatë ditës se ka “bashkëpunim të ngushtë” me presidenten Vjosa Osmani, ani pse e para e shtetit dy javët e fundit ka treguar se raportet mes Qeverisë dhe Presidencës nuk janë në gjendjen më të mirë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Kryeministri Kurti tha sot para gazetarëve se me Osmanin, siç tha ai se i ndodh edhe me Konjufcën e Gërvallën, kanë dallime, por s’ka diçka të patejkalueshme.
“Ne kemi bashkëpunim të ngushtë. Kjo nuk do të thotë që edhe me kryeparlamentarin Konjufca, edhe me ministren e Jashtme, Gërvalla, edhe me presidenten Osmani nuk kemi pasur diskutime, nganjëherë dallime, por unë nuk besoj që ka të tilla të cilat janë të patejkalueshme apo…”, tha Kurti para gazetarëve.
Letra e dërguar në Asamblenë Parlamentare për futjen në agjenden e KiE-së me 16 maj, shpërfaqi moskoordinimin e Qeverisë me Presidencën, ku Osmani pati deklaruar se as s’ka qenë e njoftuar për letrën që dërgoi Qeveria.
Kryeparlamentari Konjufca, arsyetimin lidhur me mos njoftimin ndaj presidentes së vendit, e lidhi me largësinë, pasi siç tha ai ajo ka qenë në SHBA dhe largësia e ka bërë të pamundur njoftimin për të rejat që ndodhin “minut pas minuti”, ani pse rezultoi që Osmani atë periudhë ishte në Kosovë.
“Unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet Presidentja për çdo hollësi nga MPJD. Kam hamendësuar se kjo ka ndodhur për shkak të vizitës që kishte në SHBA, ku për shkak të largësisë me siguri jo çdo hollësi e cila ndryshonte çdo minut në atë ditën e votimit nga ana e Këshillit të Ministrave, mund të ndahet, dhe mund të koordinohet. Nuk shoh mosvullnet nga ana e qeverisë dhe MPJD që të bëjë diçka të qëllimshme kundër presidentes, apo të mbajë diçka të fshehur. Ka qenë teknikisht një largësi e madhe atë ditë, që ka bërë që ndryshimet e cdo minuti nuk ka mujt të gjitha me i nda me presidenten. Presidenca e ka pasur reagimin e saj, ky reagim me siguri vjen si pasojë e asaj që ata kanë menduar që çdo hollësi do të duhej ndarë me presidenten”, pati thënë Konjufca para mediave.
Por, në një deklaratë tjetër, presidentja Osmani e quajti qesharake atë se çfarë tha kryeparlamentari Konjufca.
“…të thuhet që kjo në çfarëdo mënyrë paska pas të bëjë me largësinë për mua është diçka që nuk dua ta besojë që dikush e thotë sepse nuk ka fare të bëjë me realitetin dhe tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj të presidenca që për mua është vërtetë edhe shumë qesharake sepse të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo ditë të javës në komunikim me të githë për tema të rëndësisë kapitale sidomos në fushën e politikës së jashtme që janë brenda mandatit të presidentes e kjo absolutisht për mua është befasi tepër e madhe se kushdo qoftë ta thotë një gjë të tillë mund të ketë qenë ndonjë dezinformatë që është bartur te kryetari i kuvendit sepse me të si kryetar i kuvendit kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm asnjëherë nuk ndodh që mos të koordinohemi për tea të rëndësishme edhe kur jemi jashtë vendit i kemi telefonat ka mënyra të sigurta të komunikimit të cilat i posedojmë dhe është edhe çështja tjetër”, kishte thënë Osmani./Reporteri.net/