Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se i ka kërkuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen që t’i jap Kosovës pyetësorin e vendit kandidat dhe se shpreson që vitin e ardhshëm do të fillojnë diskutimet në mënyrë që Kosova ta marrë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kurti i bëri këto komente në ditën e dytë të Forumit të Paqes në Paris, ku zhvilloi një diskutim në kuadër të temës “Krijimi i paqes dhe ndërtimi i një bote më të sigurt”, i cili u moderua nga Pascal Boniface, drejtor i Institutit francez për Çështje Ndërkombëtare dhe Strategjike (IRIS).
Kurti tha se tani projekti i territoreve ka dështuar por ëndrra nuk është shuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kjo fantazia për ndërrimin
“Njerëzit që kanë parë ëndrra për shumë vite për ndarjen e Kosovës e këmbimin e ndryshimin e kufijve, është shumë e vështirë për ta që të braktisin këtë nostalgjie këtë trishtim e të angazhohen në zgjidhje demokratike e evropiane. Ky projekti i këmbimit të territoreve ka pasur homolog edhe në Kosovë nga një nga paraardhësve të mijë sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejt, korrigjim i shpejt në mes liderëve autoritar që flasin për popullin si familje të tyre e që flasin për territorin e shtetit të tyre sikur të ishin prona private por kjo ka pasur një lloj shije monarkike, feodale, e kështu më radhë që nuk ekziston më por më duhet ta pranojë që përkundër dështimit të projektit si të tillë, ideja ekziston ende por pa ndonjë gjasë të madhe që të hyjë në fuqi, pra sa më shpejt që të normalizojmë marrëdhëniet me njohje defakto dhe dejure…në anën tonë, Serbia na njeh defakto në shumë aspekte në shumë aspekte, por jo dejure, pra na duhet njohja defakto dhe dejure që të bëhet në gjithë rajonin dhe njëkohësisht një lloj simetrie të të drejtave të pakicave, e dijë që të drejtat e pakicave nuk mund të jetë identike por edhe ky disbalanci tejet i madh në mes vendeve të rajonit, shkakton tensione kohë pas kohe e që mund të jenë atraktive për disa qendra për destabilizim”, tha ai.
Ai është pyetur edhe për sa i përket zgjedhjeve në veri të vendit, ku tha se institucionet e Kosovës, kanë ofruar një zgjidhje që është e ligjshme e që është që kushdo që nuk është i kënaqur me kryetarin, mund të bëj një peticion dhe të nxisin votën e përgjithshme në komunë për ta ndalur mandatin e kryetarit
“Shpresoj që njerëzit të bëhen bashkë, të mobilizohen, të organizohen dhe të shkaktojnë zgjedhje të parakohshme dhe unë do të jem aty për të ndihmuar dhe lehtësuar këtë proces. E kuptoj që dalja në zgjedhje ka qen tejet e ultë në prill të këtij viti, megjithatë, këta kryetar që janë në zyrat e tyre, janë të vetmit që kanë legjitim, të tjerët nuk kanë kurrfarë legjitimiteti“, tha ai.
Ndërkohë, Kurti është pyetur se çka e pengon BE-në që nuk i jep Kosovës statusin e anëtarit.
“Kam kërkuar nga presidentja von der Leyen që të më dërgojnë pyetësorin, me mijëra pyetje normalisht të cilat me kujdes dhe durim do t’i përgjigjemi, nuk kërkojmë as rrugë të shpejt as rrugë anësore për integrim…pasi ta fitojmë këtë, pra regjimi i vizave të hiqet, besoj dhe shpresoj që vitin e ardhshëm do të fillojmë të diskutojmë dhe ta marrim statusin e kandidatit dhe të tregojmë për punën tonë se sa të përkushtuar jemi për integrim, nuk kemi alternativë, Evropa është kontinenti ynë, BE-ja është fati jonë“, tha ai, duke shtuar se BE duhet të ketë parasysh që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë të sigurtë nga Serbia derisa nuk janë në BE.
“Në njërën anën ata duan ta shohin ndarjen e Kosovës, do të donin një lloj kompenzimi territorial për keqbërje të tyre, por kjo nuk është e mundur. Në anën tjetër jemi dëshmitarë të përpjekje të destabilizimit në mënyrë rrotulluese, Bosnje, Mal të Zi dhe në Kosovë. Të gjithë fqinjët e Serbisë nganjëherë, në vitet e fundit edhe në Maqedoni të veriut, për aq sa nuk janë në BE nuk janë të sigurt nga Serbia, pra edhe këtë duhet ta marrë parasysh në Bruksel”, tha ai.