Raporti për Kosovën, DASH përmend ushtrimin e presionit dhe frikësimin e serbëve në veri nga ana e Listës Serbe

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për të Drejtat e Njeriut për vitin 2023.

Në raport është përmendur se më 2023 nuk është raportuar për ndonjë ndryshim të madh sa i përket situatës me të drejta të njeriut në Kosovë.

Ndër raportimet më të rëndësishme në lidhje me të drejtat e njeriut ishin problemet serioze me pavarësinë e gjyqësorit; kufizimet serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, përfshirë edhe nëpërmjet dhunës apo kërcënimeve ndaj gazetarëve; korrupsioni serioz i qeverisë; dhuna e gjerë me baza gjinore, përfshirë dhuna në familje, apo ndaj partnerëve; si dhe krimet e dhunshme, apo kërcënimet për dhunë ndaj pakicave etnike dhe komunitetet e tjera.

Raporti përmend presionin ndaj serbëve në veri të Kosovës nga ana e Listës Serbe, parti kjo e lidhur ngushtë me pushtetin në Serbi, transmeton gazeta online Reporteri.net.

Raporti i DASH thotë se Qeveria serbe vazhdoi të operojë struktura të paligjshme paralele qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti goran i Kosovës duke i përdorur këto struktura për të ndikuar te ky komunitet dhe përfaqësuesit e tyre politikë.

Në raport përmenden zgjedhjet e vitit 2021, ku siç thuhet është evidentuar presion dhe frikësim tek komunitetet pakicë për të mbështetur Listën Serbe dhe partitë e rreshtuara me të.

“Qeveria serbe vazhdoi të operojë struktura të paligjshme paralele qeveritare në zonat me shumicë serbe të Kosovës dhe në zonat e banuara kryesisht nga komuniteti goran i Kosovës. Qeveria serbe shpesh i përdorte këto struktura për të ndikuar në komunitetet serbe dhe gorane të Kosovës dhe përfaqësuesit e tyre politikë.

“Vendi zhvilloi zgjedhjet parlamentare në shkurt 2021. Vëzhguesit ndërkombëtarë i konsideruan kryesisht zgjedhjet të drejta dhe pa abuzime dhe parregullsi. Vëzhguesit ndërkombëtarë dhe të pavarur, si dhe përfaqësuesit e grupeve të pakicave etnike raportuan shqetësime në lidhje me mungesën e konkurrencës në zonat serbe të Kosovës dhe vunë në dukje presion dhe frikësim brenda komuniteteve pakicë etnike për të mbështetur partitë e rreshtuara me Listën Srpska, një parti e lidhur ngushtë me qeverinë serbe.

“Perspektivat për partitë opozitare në zonat serbe të Kosovës mbetën të kufizuara, megjithatë, për shkak të presionit të raportuar dhe taktikave të frikësimit për të ndikuar tek serbët e Kosovës që të mbështesin Listën Serbe”, thuhet në raport. /Reporteri.net/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi