Raportohet se Koreja e Veriut ia ka dërguar mijëra ushtarë Rusisë për luftën në Ukrainë

Agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut ka gjetur se Koreja e Veriut ia ka dërguar Rusisë 12.000 trupa, përfshirë forca speciale, për ta ndihmuar në luftë kundër Ukrainës, raportoi Associated Press të premten.

Agjencia e lajmeve Yonhap e citoi Shërbimin e Inteligjencës Kombëtare të Koresë së Jugut duke thënë se katër brigada të ushtarëve të Veriut janë nisur drejt Rusisë tashmë.

Edhe media të tjera koreanojugore raportuan ngjashëm.

Nëse konfirmohet, kjo do të jetë pjesëmarrja e parë e Koresë së Veriut në një luftë të huaj.

Koreja e Veriut i ka 1.2 milion ushtarë, pra njërën prej ushtrive më të mëdha në botë, por i mungon përvojë në luftë të vërtetë.

Të enjten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Qeveria e tij ka informacione se 10.000 trupa nga Koreja e Veriut po përgatiten për t’iu bashkuar forcave ruse që luftojnë kundër vendit të tij, duke paralajmëruar se përzierja e një shteti të tretë në luftë mund ta kthejë konfliktin në një “luftë botërore”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca perëndimore “nuk ka prova se ushtarët koreanoveriorë janë të përfshirë në luftë”.

“Por, ne dimë se Koreja e Veriut po mbështet Rusinë në shumë mënyra, si furnizime me armë, furnizime teknologjike, inovacione, për t’i mbështetur ata në përpjekjet e luftës. Dhe kjo është shumë shqetësuese”, tha ai të enjten.

Shumë ekspertë e vënë në dyshim nëse trupat e Koresë së Veriut mund ta ndihmojnë Rusinë, duke përmendur pajisjet e prapambetura të Veriut dhe mungesën e përvojës në fushëbeteja.

Ekspertët gjithashtu thonë se Koresë së Veriut i është premtuar nga Rusia mbështetje sigurie karshi konfrontimeve të ashpra me SHBA-në dhe Korenë e Jugut për shkak të avancimit të programit të saj bërthamor.

Gjatë një takimi në Phenian në qershor, lideri koreanoverior Kim Jong Un dhe presidenti rus Vladimir Putin, nënshkruan një marrëveshje që parashikon ndihmë të ndërsjellë ushtarake nëse ndonjëra nga vendet sulmohet.

Shërbimi i Inteligjencës Kombëtare nuk e konfirmoi menjëherë raportin, por zyra presidenciale e Koresë së Jugut tha në një deklaratë se presidenti Yoon Suk Yeol kishte kryesuar një takim emergjent më herët të premten për të diskutuar për trupat e dërguar në Ukrainë nga Koreja e Veriut.

Në njoftim thuhej se pjesëmarrësit e takimit ranë dakord se dërgimi i trupave të Koresë së Veriut paraqet një kërcënim të rëndë për sigurinë e Koresë së Jugut dhe për komunitetin ndërkombëtar.

Por, zyra presidenciale nuk dha hollësi të tjera se kur dhe sa ushtarë koreanoveriorë janë dërguar në Ukrainë dhe çfarë rolesh pritet të kenë ata.

Rusia e ka mohuar përdorimin e trupave koreanoveriore në luftë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e përshkroi pretendimin si “një tjetër lajm i rrejshëm” gjatë një konference për shtyp javën e kaluar, sipas mediave ruse.

Mediat ukrainase raportuan më herët këtë muaj se gjashtë koreanoveriorë në mesin e të vrarë pas një sulmi raketor ukrainas në rajonin e okupuar pjesërisht, Donetsk, në lindje, më 3 tetor.

SHBA, Koreja e Jugut dhe partnerët e tyre e kanë akuzuar Korenë e Veriut për furnizimin e Rusisë me predha artilerie, raketat dhe pajisje të tjera për të ndihmuar në luftën e saj ndaj Ukrainës./Radio Evropa e Lirë

 

Kategoritë
BotaLajme