“Gjenocidi i Izraelit kundër palestinezëve nuk do të jetë i kufizuar vetëm me Gazën për sa kohë që ai nuk detyrohet të ndalojë”, deklaroi Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Palestinën, Francesca Albanese
Raportuesja Speciale e Kombeve të Bashkuara (OKB) për Palestinën, Francesca Albanese, paralajmëroi se nëse Izraeli nuk ndalet, ai mund ta transferojë gjenocidin që ka kryer në Rripin e Gazës në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
Albanese bëri një deklaratë me shkrim në llogarinë e saj në rrjetet sociale në lidhje me sulmin në shkallë të gjerë të nisur dje nga ushtria izraelite në kampin e refugjatëve Jenin në veri të Bregut Perëndimor.
Duke theksuar se ushtria izraelite pas armëpushimit në Gaza nisi një sulm në kampin e refugjatëve Jenin, Albanese deklaroi se dhjetë palestinezë humbën jetën në sulmet e djeshme.
Pasi reagoi ndaj ofensivës së Izraelit në Bregun Perëndimor, Albanese u shpreh: “Gjenocidi i Izraelit kundër palestinezëve nuk do të jetë i kufizuar vetëm me Gazën për sa kohë që ai nuk detyrohet të ndalojë”.
Dhjetë palestinezë, mes tyre një fëmijë, humbën jetën dhe 35 persona u plagosën në sulmet në shkallë të gjerë të nisur dje nga ushtria izraelite në kampin e refugjatëve Jenin.
Aktualisht janë duke vazhduar sulmet e ushtarëve izraelitë, të cilët hynë në kampin e refugjatëve Jenin me automjete ushtarake dhe makineri ndërtimi.