Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka thënë të mërkurën se gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, janë pajtuar se rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) për ndalimin e dinarit është në një periudhë tranzicioni.
Rregullorja e BQK-së, e cila kërkon që euroja të jetë valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para të gatshme në gjithë vendin, hyri në fuqi më 1 shkurt, me gjithë trysnin e madhe ndërkombëtare për shtyrjen e zbatimit të saj.
Ai tha se guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili, ka “përmendur se faza e tranzicionit mund të përfundojë në fund të shkurtit, por prapë nëse ka gatishmëri nga pala tjerë, sepse çdo afat që e cekim tani do të ishte i pasaktë”.
“Kur u takova me kryeministrin, kemi ardhur deri te një përfundim, që kjo është një periudhë tranzicioni kështu që shfrytëzuesit ta kenë një mundësi që të përgatiten për përdorimin e kësaj rregullore. Nga ana juridike dhe teknike kjo është mënyra e duhur që të vazhdojmë”, tha Rashiq.
Vetë Kurti tha dje se e kupton që “një periudhë tranzicioni është e nevojshme”, duke shtuar se një periudhë e tillë tranzicioni veçse ka nisur.
Kryeministri kosovar tha se gjatë këtij muaji autoritetet do të ofrojnë informacione që “ky tranzicion të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundur”.