Futbollistët e Arda dhe Levski mbajtën një minutë heshtje të dielën për të nderuar Petko Gançevin, përpara se të kërkonin falje atij dhe familjes së tij.
Edhe pse në sportin ballkanik kemi parë shumë ngjarje të çuditshme, diçka e tillë ende nuk kishte ndodhur.
Gjatë ndeshjes së kampionatit mes këtyre dy skuadrave, e cila përfundoi me rezultatin 1:1, u mbajt një minutë heshtje për një njeri që është ende gjallë.
Bëhet fjalë për ish-futbollistin e Arda, Petko Gançev. Duket se drejtuesit e klubit vendas morën një informacion të gabuar se ai kishte ndërruar jetë dhe, pa e verifikuar, vendosën t’i bënin nderime para ndeshjes së javës së 25-të të Ligës së Parë Bullgare.
Dikush nga familjarët e tij ose vetë Gançev e mori vesh lajmin dhe menjëherë gjatë zhvillimit të ndeshjes, klubi i Arda publikoi një deklaratë duke kërkuar falje:
“Të dashur gazetarë dhe tifozë të Arda, menaxhmenti i klubit dëshiron të shprehë një ndjesë të madhe për ish-futbollistin tonë Petko Gançev dhe familjen e tij, pasi kemi marrë një informacion të pasaktë për vdekjen e tij. I urojmë Petkos shumë vite shëndet dhe që të vazhdojë të shijojë sukseset e Arda-s.”
Ndërkohë, ky barazim bëri që Arda të humbasë mundësinë për të kaluar Botev Plovdiv në vendin e katërt, i cili është pozicioni i fundit që siguron pjesëmarrjen në play-off.
Deri në përfundim të sezonit të rregullt kanë mbetur edhe pesë javë./Gazetaere