Rasti Thaçi dhe të tjerët: Aprovohet pjesërisht kërkesa e Prokurorisë për t’i pranuar në prova disa dokumente për Zonën e Nerdorimes

Trupi gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka aprovuar pjesërisht një kërkesë të Prokurorisë për t’i pranuar në prova materiale disa dokumente për Zonën Operative të Nerodimes.

Sipas vendimit të 4 prillit 2025, Prokuroria në kërkesën e saj më 21 tetor 2024 ka pretenduar se këto dokumente janë autentike, të rëndësishme dhe me vlerë provuese, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, mbrojtja e kishte kundërshtuar këtë praktikë të Prokurorisë, sipas saj, për të paraqitur mijëra prova për të cilat prejardhja e tyre është e pasigurt dhe kanë besueshmëri të dyshimtë.

Mbrojtja argumenton se shumë nga provat e propozuara nuk kanë lidhje të dukshme me akuzat dhe Prokuroria po e përdorë këtë metodë për të shmangur verifikimin e drejtë të provave të saj për të anashkaluar procedurën e verifikimit të provave përmes dëshmitarëve.

Sipas mbrojtjes, ZPS-ja nuk ka dëshmuar autenticitetin dhe besueshmërinë e këtyre provave, dhe se pranimi i tyre do të shkaktonte paragjykim.

Në vendim, trupi gjykues ka thënë se dëshmitë e propozuara përbehen nga dokumente dhe video të UÇK-së të kohës së ngjarjeve që lidhen me organizimin dhe aktivitetet e UÇK-së në Zonën Operative të Nerodimes midis viteve 1998 dhe 1999.

Sipas vendimit, Prokuroria ka thënë se këto dëshmi dëshmojnë nivelin e lartë të organizimit të UÇK-së duke përfshirë edhe zonën në fjalë gjatë periudhës së aktakuzës.

ZPS-ja ka pretenduar se anëtarët e UÇK-së në këtë zonë vepruan nën autoritetin dhe sipas urdhrave të të akuzuarve dhe Shtabit të Përgjithshëm.

Veç kësaj, ZPS-ja thotë se përmes këtyre dokumenteve ata synojnë që të provohet se disa nga të akuzuarit dhe disa anëtarë të UÇK-së në këtë zonë, kishin qëllimin e përbashkët kriminal të cilin e zbatuan personalisht dhe përmes strukturave ekzistuese.

Dëshminë 35 dhe 37 e kishte kundërshtuar mbrojtja, ndërsa Paneli nëpërmjet këtij vendimi ka thënë se është krah argumentit të ZPS-së se këto dokumente janë të rëndësishme për të treguar praktikën e pretenduar të UÇK-së për të identifikuar dhe monitoruar persona të dyshuar për bashkëpunim me serbët.

ZPS-ja për këto dokumente sipas vendimit thotë se përforcojnë dhe plotësojnë provat e tjera dhe fakte të gjykuara më parë që lidhen me krimet në aktakuzë, e po ashtu atë të ekzistimit të një sulmi sistematik dhe të përhapur kundër popullsisë civile.

“ZPS pohon se dëshmitë e propozuara gjithashtu përforcojnë dhe plotësojnë prova të tjera dhe fakte të gjykuara më parë, përfshirë lidhur me: (i) krimet e akuzuara; (ii) ekzistencën dhe elementet e një konflikti të armatosur jo-ndërkombëtar dhe ekzistencën e pretenduar të një sulmi të përhapur dhe/ose sistematik kundër popullsisë civile; (iii) kontrollin efektiv të pretenduar nga të akuzuarit, drejtpërdrejt dhe përmes strukturave të ZON; (iv) ndihmën praktike, inkurajimin dhe/ose mbështetjen morale të ofruar nga i akuzuari për autorët e krimeve të akuzuara; dhe (v) dijen dhe qëllimin e të akuzuarit dhe anëtarëve të tjerë të NPK-së”, thuhet në vendim.

Sa i përket autenticitetit, paneli ka thënë në vendim se shumica e dëshmive të propozuara janë dokumente të shkruara me dorë dhe që përbejnë nënshkrime që duken se janë të anëtarëve të UÇK-së, duke përfshirë komandantët si ‘Ferri’, ‘Meti’, ‘Profesori’, ‘Haxhiu’, ‘Ahmet Kaçiku, ‘z. Selimi, ‘Graniti’, ‘Dulla’, ‘Agimi’, ‘Ramadan Rexhepi’ dhe ‘Topi’.

Sipas vendimit, shumica prej dokumenteve mbajnë gjithashtu logo ose numra reference të Zonës së Nerodimës. Pesë prej këtyre provave, sipas vendimit, janë edhe video publike që paraqesin anëtarët e UÇK-së gjatë periudhës së aktakuzës.

Këto dokumente, paneli i ka konsideruar si të pranueshme që pastaj një vlerësim i përgjithshëm i tyre mund të bëhet në fund të gjykimit.

Për dëshminë shtatë dhe disa nga faqet (1, 2, 4 deri në 11) të dëshmisë 47, sipas vendimit, s’ka elemente të mjaftueshme të autenticitetit dhe si rrjedhojë paneli i ka refuzuar ato.

Si rrjedhojë, në prova materiale u pranuan dëshmia 1 deri në 6, 8 deri në 46, dhe 48 deri në 97. Po ashtu edhe faqja 3 e dëshmisë 47 u pranua në prova materiale. Kurse, nuk u pranua në faqet 1-2 dhe 4-11 të dëshmisë 47 dhe dëshmia 7.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Kategoritë
LajmeVendi