Raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të Shqipërisë do të mbahet më 30 maj

Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë u diskutua për raundin e radhës të zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë dhe u vendos data për raundin e tretë

Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur që raundi i tretë për zgjedhjen e presidentit të ri të Shqipërisë të mbahet më 30 maj, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit të Shqipërisë u diskutua për raundin e radhës të zgjedhjes së presidentit të Shqipërisë dhe u vendos data për raundin e tretë.

Sipas vendimit të Konferencës së Kryetareve, kandidaturat për postin e presidentin të Shqipërisë mund të dorëzohen deri më datë 29 maj.

Kujtojmë se raundi i parë dhe i dytë për zgjedhjen e presidentit u ezauruan më 16 maj dhe 23 maj pa kandidatë zyrtarë, pasi grupet parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë nuk dorëzuan kandidatura.

Procesi në Kuvendin e Shqipërisë për zgjedhjen e presidentit të vendit

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, kandidati për president i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh.

Për zgjedhjen e presidentit të vendit, Kuvendi i Shqipërisë zhvillon deri në pesë votime (raunde). Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave (84 vota) të të gjithë anëtarëve të Kuvendit, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka 140 deputetë.

Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet president kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave.

Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet dhe zhvillohen zgjedhjet e reja të përgjithshme.

Presidenti aktual Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë më 28 prill 2017 në postin e presidentit të vendit për një mandat pesëvjeçar, ndërkohë mandati i tij përfundon në korrik të vitit 2022.

Kategoritë
LajmeRajoni