Reagimet e ndërkombëtarëve për synimin e Serbisë për juridiksion gjyqësor në Kosovë, Lista Srpska: Hipokrizi, çfarë dëshironi?

Qeveria e Serbisë në fund të muajit që shkoi ka njoftuar se kishte aprovuar një projektligj për “organizimin dhe kompetencën e autoriteteve gjyqësore serbe” në ndjekjen e veprave penale të kryera në territorin e Kosovës, si dhe një projektligj tjetër për shpalljen e Kosovës si “zonë e mbrojtjes së veçantë sociale”.

Për këtë Serbia mori kritika të menjëhershme nga SHBA, Bashkimi Europian e Gjermania, të cilat thanë se këto projektligje shkelin detyrimet e Serbisë në dialogun e Brukselit

Por, me këto reagime s’është e kënaqur Lista Srpska, partia kryesore e serbëve në Kosovë që mbështetet nga Beogradi. Kjo parti u ankua për “hipokrizi” e “standarde të dyfishta” ndaj Serbisë e popullit serb.

“Hipokrizia, paradoksi, mospërputhja dhe standardet e dyfishta të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë dhe popullit serb janë pasqyruar më së miri në dënimin që i dërgojnë vendit tonë për shkak se Republika e Serbisë po planifikon të miratojë ligjin për juridiksionin gjyqësor mbi territorin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë ata kërkojnë që Serbia të ndjekë penalisht Milan Radoiçiqin dhe të tjerët që ishin pjesë e konfliktit në Banjskë. Thjesht po pyesim veten, çfarë dëshironi vërtet?!”, ka shkruar Lista Srpska.

Të mërkurën, zëdhënësja e BE-së, Nabila Massralli, tha se Serbia ka vepruar në kundërshtim me zotimet e saj në dialogun me Kosovën nën ndërmjetësimin e bllokut.

“Projektligjet e Qeverisë së Serbisë, në mënyrën si janë publikuar paraqesin shkelje të qarta nga ana e Serbisë të obligimeve nga dialogu dhe janë në kundërshtim me ripërkushtimin e shprehur rishtazi për dialogun”, tha Massralli.

Edhe Departamenti amerikan i Shtetit reagoi përmes zëdhënësit Mattheë Miller, i cili tha se SHBA pajtohet me BE-në se ky veprim i Serbisë përbën shkelje të marrëveshjeve të dialogut.

“Ne pajtohemi me BE-në se projektligji i Serbisë që pretendon juridiksion ligjor në Kosovë shkel detyrimet e dialogut. Secila, Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjen e vitit 2023 duke përfshirë Asociacionin dhe zgjidhjet [e dala nga] dialogu për të gjithë qytetarët, përfshirë serbët në Kosovë”.

Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Gjermanisë i ka bërë thirrje të premten Serbisë t’i rishqyrtojë projektligjet e miratuara rishtazi për juridiksion gjyqësor në Kosovë dhe për ta shpallur Kosovën “zonë të mbrojtjes së veçantë sociale”.

Në një shkrim në X, Gjermania iu bashkua qëndrimit të Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian se Qeveria e Serbisë i ka shkelur detyrimet nga dialogu i Brukselit duke miratuar këto projektligje, të cilat pritet të dalin për votim në Parlament.

“Ne u bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës ta zbatojnë pa asnjë vonesë marrëveshjen e Ohrit, përfshirë Asociacionin e komunave me shumicë serbe”.

Kategoritë
LajmeVendi