Drejtoria e Komunikimeve e Presidencës së Republikës së Turqisë ka reaguar lidhur me pretendimet se presidenti turk Recep Tayyip Erdogan është përfshirë në procesin e formimit të pushtetit në Bosnje dhe Hercegovinë.
Qendra për Luftën kundër Dezinformatave, që funksionon në kuadër të Drejtorisë së Komunikimeve të Presidencës së Turqisë, theksoi se ndjen nevojën për të sqaruar informacionet e publikuara në opinionin publik që lidhen me Erdogan dhe autoritetet e Bosnjë-Hercegovinës.
Është theksuar se këto pretendime nuk janë të vërteta.
“Turqia, duke respektuar sovranitetin, integritetin territorial dhe strukturën multietnike të Bosnje dhe Hercegovinës, mbështet hapat e ndërmarrë në kuadër të procesit reformues të vendit dhe integrimin e tij në institucionet evropiane dhe euroatlantike (BE dhe NATO). Problemet në Bosnje dhe Hercegovinë trajtohen nga një perspektivë e paanshme, që përfshin të gjitha segmentet e shoqërisë, me një qëndrim të sinqertë dhe konstruktiv. Turqia është anëtare e Bordit Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes dhe kontribuon në stabilitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe rajonit përmes pjesëmarrjes së saj në misionin EUFOR-Althea”, thuhet në deklaratë.
Në reagim theksohet gjithashtu se Erdogan, në çdo rast, ka nënvizuar se vendimet në vend duhet të merren përmes proceseve demokratike dhe se nuk duhet lejuar asnjë ndërhyrje që bie ndesh me parimet demokratike.
“Pretendimet se Turqia ka një qëndrim të kundërt janë të pabaza”, përfundon deklarata.
Këto pretendime janë bërë nga gazetari nga Mostari, Zoran Krešić, gjatë një interviste për BRHT para tre ditësh.
“Unë tashmë disa muaj më parë dëgjova një lloj tregimi nga qarqe serioze politike që sugjeronte se Erdogan kishte inkurajuar disa politikanë që të bëhet një rikonfigurim i pushtetit këtu dhe madje, gjoja, i kishte ofruar Dodikut një lloj mbështetjeje financiare nëse SDA hynte në përbërjen e Këshillit të Ministrave. A është ky një ndërlikim i mëtejshëm apo një zgjidhje e situatës, shpresojmë ta shohim së shpejti”, tha Krešić.