Ismet Kryeziu nga KDI ka thënë se pengimi i deputetëve të Listës Serbe nga kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca për të marrë pjesë në seancë ishte i jashtëligjshëm.
“Gjatë seancës së sotme plenare, deputetët e grupit parlamentar të Listës Serbe janë penguar jashtëligjshëm nga Kryetari i Kuvendit dhe deputetët e shumicës parlamentare, për të marrë pjesë në punimet e Kuvendit.”
Ai ka shtuar se pengimi i deputetëve të Srpskas “përbën cenim të mandatit kushtetues të deputetit”.
“Megjithëse Lista Serbe ka bojkotuar punimet e Kuvendit që nga viti 2022, dhe të njëjtit janë paraqitur në Kuvend vetëm për qëllime të mospërfundimit të mandatit, pengimi i tyre në seancën e sotme përbën cenim të mandatit kushtetues të deputetit. KDI, në vazhdimësi ka kritikuar Listën Serbe për mospjesëmarrje në punën e Kuvendit, duke vlerësuar që mospjesëmarrja e tyre e minimizon hapësirën për komunikim midis komuniteteve jo-shumicë dhe pushtetit. Për më keq, mospjesëmarrja e Listës Serbe ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë në procedurat ligjvënëse, sidomos për ato që kërkojnë shumicën e dyfishtë.”
Kryeziu ka thënë se deputetët mund të largohen nga seanca vec nëse përdorin fjalë fyese, cenojnë personalitetin e kryesuesit të seancës ose deputetëve tjerë, apo vazhdojnë të bëjnë shkelje në raport me të cilat paraprakisht janë sanksionuar.
“Sipas Rregullores, deputetët mund të largohen nga seanca, vetëm në rast se ata përdorin fjalë fyese, cenojnë personalitetin e kryesuesit të seancës ose deputetëve tjerë, apo vazhdojnë të bëjnë shkelje në raport me të cilat paraprakisht janë sanksionuar. Ndërsa, ndërprerja e seancës mund të bëhet vetëm në rastet kur në sallë bëhet rrëmujë dhe nuk respektohet kërkesa e kryesuesit të seancës për mbajtjen e rregullit.”