Reagon KEDS: Nuk do të ketë reduktime

KEDS ka reaguar ndaj raportimeve se nga sot, më  janar, fillojnë reduktimet me rrymë në Kosovë, që thuhej se do të zgjasnin deri në 7 orë.

Kjo kompani thotë se punimet e planifikuara, kur përfshihen një numër i konsumatorëve, nuk mund të interpretohen si reduktime.

Reagon KEDS: Nuk do të ketë reduktime:

Disa media kosovare kanë keq informuar gjatë vikendit që gjoja reduktimet e energjisë elektrike fillojnë nga sot. “Nga 10 janari fillojnë reduktimet, këto vende do të mbesin pa rrymë deri në 7 orë”, ishte titulli i botuar në portale të ndryshme.

KEDS nuk kishte njoftuar që do të fillojnë reduktimet dhe as që kanë filluar ato. Punimet e planifikuara nuk guxojnë në asnjë rrethanë të interpretohen si reduktime. Sepse, në punime të planifikuara zakonisht përfshihet një numër shumë i vogël i konsumatorëve, ndërsa pjesa tjetër nuk ka kurrfarë ndërprerje. Pra, sot nga mbi 650 mijë konsumatorë, janë duke u furnizuar pa asnjë ndërprerje 99,99 për qind e tyre, ose vetëm 118 nga ta kanë ndërprerje të planifikuar për shkak të punimeve të domosdoshme, pasi dihet që nuk mund të intervenohet nën tension, e në asnjë rrethanë reduktime.

Prandaj, KEDS dënon çdo propagandë që frikëson konsumatorët se gjoja do të kenë reduktime, kur ata nuk kanë. Gjendja me furnizim me energji, që nga hyrja në dimër, është shumë stabile dhe KEDS nuk ka aplikuar reduktime për asnjë konsumator si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Pra, furnizimi është jashtëzakonisht stabil, përkundër faktit që gjendemi në situatë emergjente dhe shumë të paparashikueshme.

Në këto rrethana, lajmet e rreme, përpos që krijojnë frikë e konfuzion te qytetarët e vendit, ato e dëmtojnë edhe reputacionin e kompanisë.

Korporata i siguron të gjithë qytetarët e Kosovës që nëse vije deri tek përkeqësimi i situatës do t’i njoftojë me kohë dhe me transparencë të plotë. Me këtë rast bëjmë apel tek të gjithë qytetarët që të kursejnë maksimalisht energjinë elektrike, ndërsa kërkojmë nga të gjitha mediat që të japin ndihmesën e vet në lehtësimin e krizës, pasi vetëm të bashkuar të gjithë mund t’ia dalim më lehtë.

Kategoritë
LajmeVendi