Reagon Srpska për ndërprerjen e seancës: Sulm ndaj deputetëve tonë, jemi krenarë që po na sulmon Kurti

Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë tentuar që të pengojnë deputetët e Listës Srpska që shkuan për t’u nënshkruar në mënyrë që të marrin pagën e deputetit dhe të mos e humbin mandatin siç bëjnë tash e një kohë.

Kryeparlamentari  Glauk Konjufca e ka ndërprerë seancën e Kuvendit, duke thënë se kjo është një sjellje e patolerueshme.

“Ju drejtohem deputetëve të Listës Serbe që vijnë e provokojnë në këtë mënyrë. E patolerueshme në Kuvend kjo sjellje një herë në gjashtë muaj të vijnë me keqpërdor para të taksapaguesve. Në anën tjetër e luftoni Kosovën me çdo mjet që keni. Shkoni i rrini gatitu shefit kriminel [Millan] Radoiçiq. E keni guxim të vini në Kuvendin e Kosovës. Turp të keni, ndërpritet kjo seancë e kërkoj që ta lironi këtë sallë”, tha Konjufca sot.

Për këtë ka reaguar Lista Srpska përmes një deklarate në faqen e saj në Facebook, duke thënë se ky është “një rast i paprecedentë” për të mos lejuar të zgjedhurit e popullit serb të marrin pjesë në seancë.

“Dënojmë ashpër sulmin e sotëm të paprovokuar ndaj deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Prishtinës nga ana e deputetëve të Kurtit dhe kryetarit të Kuvendit Glauk Konjufca, të cilët shpërdoruan pozitën dhe i penguan të zgjedhurit e popullit serb të jenë të pranishëm në seancën e Kuvendit. Theksojmë se gjatë sulmit ndaj deputetëve të Listës Serbe, në mesin e tyre ishte edhe deputetja Olivera Zdravkoviq, e cila është shtatzënë”.

“Ky sulm i paprecedentë është disfatë për demokracinë dhe sundimin e ligjit, por edhe shembullin më të mirë të pozitës së popullit serb në Kosovë nën regjimin e Albin Kurtit, i cili çdo ditë ushtron dhunë institucionale dhe terror fizik nga Prishtina”.

Lista Srpska pretendoi se kryeministri Albin Kurti po “bën gjithçka” për eliminimin e Listës Srpska.

“Jemi krenarë që Kurti po na sulmon, sepse kjo konfirmon se po i qëndrojmë rrugës për të dëbuar të gjithë serbët, por edhe tani duhet të jetë e qartë për të gjithë se pse Kurti po bën gjithçka për të eliminuar Listën Srpska dhe për t’i siguruar vetes serbët e dëshirueshëm që do të punojë në interesin e tij dhe jo të popullit serb. Asgjë nuk do të na pengojë apo ndalojë të përfaqësojmë popullin tonë serb! I vetëdijshëm se nuk ka çfarë t’u ofrojë votuesve të tij të cilët i ka mashtruar gjatë gjithë mandatit të tij, Kurti dëshiron të marrë pikë të lira politike me kartën e nacionalizmit”.

Lista Srpska ka kërkuar reagim edhe nga ndërkombëtarët.

“Kërkojmë dënimin e ashpër të sulmit të sotëm ndaj deputetëve të Listës Serbe, reagimin e ambasadave, mbi të gjitha të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, Italisë, por edhe të Bashkimit Europian, OSBE-së, UNMIK-ut dhe të gjithë atyre cilët janë më të thirrur të mbrojnë të drejtat e popullit serb dhe të pengojnë Kurtin të persekutojë gjithçka serbe, sepse Lista Srpska është zgjedhur nga populli serb në Kosovë dhe kjo është në radhë të parë një sulm ndaj të drejtave të tyre”.

Kategoritë
LajmeVendi