Real Madrid dhe Barcelona akuzuan njëri-tjetrin se janë “klubi i regjimit të diktator Franco-s”

Laporta e përshkroi Real Madridin si “klubi i regjimit”, duke iu referuar epokës së diktatorit Franco dhe në këtë mënyrë shkaktoi reagimin e klubit madrilen.

Dy klubet e mëdha të Spanjës, Real Madrid dhe Barcelona, akuzuan njëri-tjetrin të jetë “klubi që ka përfituar nga periudha e diktatorit Francisco Franco”.

Debati “klubi i regjimit” mes dy klubeve filloi kur kreu i Barcelona-s, Joan Laporta e akuzoi Real Madridin në konferencën për media lidhur me pretendimet se Barcelona i ka bërë pagesë një kompanie që të marrë informacion lidhur me arbitrat, ngjarje e quajtur ndryshe edhe si “ngjarja Negreira”.

Laporta e përshkroi Real Madridin si “klubi i regjimit”, duke iu referuar epokës së diktatorit Franco.

“E gjithë bota e din se historikisht nga gabimet e arbitrave më së shumti ka përfituar Real Madridi. Është klubi i regjimit. Gjatë 70 viteve krerët e arbitrave janë bërë ish-anëtarët, futbollistët ose drejtuesit e Madridit”, u shpreh ai.

Përgjigja u dha nga Real Madrid TV

Ndërkaq, fjalëve të Laporta-s, pala tjetër iu përgjigj nëpërmjet Real Madrid TV.

Në transmetimin e bërë me titullin “Kush ishte klubi i regjimit?”, u përdorën pamjet arkivale dhe raportime gazetash rreth klubit Barcelona gjatë periudhës së diktatorit Francisco Franco, i cili sundoi vendin midis viteve 1936-1975.

Më tutje në transmetim u theksua se hapjen e Nou Camp-it, stadiumit të Barcelonas, e ka bërë ministri i periudhës së Franco-s, Jose Solis Ruis, Barcelona ka fituar rozetë prej ari nga Franco, ndërsa në vitin 1965 Barcelona e ka shpallur Franco-n si anëtari i nderit, duke pretenduar se Franco ka shpëtuar tre herë klubin katalan nga falimentimi.

Sipas tyre, Barcelona në këtë periudhë ka fituar 8 kampionate të ligës dhe 9 kupa të Gjeneralit të Madh (tani Kupa Mbretërore), ndërkaq Real Madridi gjatë periudhës së Franco-s ka pritur 15 vjet për të fituar kampionatin e ligës, duke pretenduar se është shkatërruar gjatë kohë së Luftës Civile, i janë vrarë, arrestuar dhe deportuar futbollistët.

Mediat sportive spanjolle komentojnë se këto akuza do të dëmtojnë dy klubet e mëdha.

Kategoritë
Sport