Reçaku, detaje nga kameramani që e filmoi

Për Sylejman Kllokoqin, ngjarje të tilla duhen bërë film.

Ndërsa janë rikthyer kontestimet e Beogradit zyrtar mbi masakrën e Reçakut, ajo e cila bindi përfundimisht ndërkombëtarët për situatën e rëndë në Kosovë, pas së cilës pasuan bombardimet e NATO-s, kameramani shqiptar që e filmoi ofroi ca detaje

Në Euronews Albania, Sylejman Kllokoqi, kameramani i Associated Press gjatë luftës së Kosovës, tha se ka filmuar pothuajse gjithçka që la pas masakra dhe nënvizon se ka pasur edhe ngjarje më të rënda se ajo e Reçakut, por që nuk janë të dokumentuara.

“Dy ditë më herët në Reçak ka pasur luftime. Unë kam tentuar dy ditë më herët të futem brenda por OSBE, organet nuk më kanë lejuar. Por, nga distanca e kemi parë që kishte luftime. Ditën e tretë shkuam atje.

Kur hymë në Reçak na thanë disa banorë se Policia Serbe kishte ikur. Gjatë rrugës kishte viktima. Në luginën lart, ishin 45 viktima të tjera”, tha ai në emisionin e mëngjesit.

Ai theksoi gjithashtu se ndërkombëtarët kanë qenë në vëzhgim të asaj që po ndodhte.

“Janë viktimat, janë prezent aty dhe nuk mund ta mohosh. Është politika që e bëjnë njerëzit e Serbisë. Nuk është diçka që do të befasohesh”, tha ai, duke shtuar se duhet të ketë sa më shumë filma dokumentarë që kjo masakër të mos harrohet. /tesheshi.com/

Kategoritë
LajmeVendi