Referendum për pavarësinë e Skocisë, kërkohet shkëputje nga Londra

Skocezët duan të mbajnë një referendum të dytë për t’u pavarësuar nga Londra. Debati politik është i fortë, pasi Londra nuk pranon që të ketë një referendum, ndërsa sondazhet tregojnë se skocezët kanë një rritje në përqindje të qytetarëve pro pavarësisë. Çështja ka përfunduar një Gjykatën e Lartë britanike.

Ka nisur këtë të martë dëgjesa e argumenteve në Gjykatën e Lartë britanike për mundësinë e mbajtjes së një referendumi të dytë për pavarësinë e Skocisë nga Londra.

Administrata gjysmë autonome e Skocisë kërkon të organizojë një votim për pavarësinë pa pëlqimin e qeverisë së Londrës. Palët kanë përplasje, pasi Nicola Sturgeon planifikon të mbajë një referendum të ri për pavarësinë në tetor të vitit të ardhshëm, por qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është e bindur se kjo nuk do të ndodhë, duke argumentuar se referendumi i vitit 2014 u fitua nga fushata kundër pavarësimit me 55% të votave.

Sipas sondazheve, ka një rritje të numrit të personave që janë kthyer pro pavarësimit, duke e çuar thuajse në kuota të barabarta pro dhe kundër pavarësisë.

Parlamenti skocez aktualisht ka shumicë deputetësh që janë pro pavarësisë.

Pesë gjyqtarë në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar në Londër do të dëgjojnë argumentet mbi mundësinë e një referendumit të dytë gjatë dy ditëve të ardhshme, ndërsa vendimi mund të marrë muaj për të dalë.

Qëndrimi i qeverisë britanike është se vetëm Westminster mund t’i japë dritën jeshile çdo referendumi të ri të pavarësisë, sepse çështjet kushtetuese mbeten kompetencë e qeverisë së Londrës dhe nuk i janë transferuar Edinburgut. Ndërkohë, qeveria skoceze thotë se referendumi – si referendumi i Brexit-it i vitit 2016 – është vetëm këshillues dhe nuk do të thotë në vetvete që Skocia të bëhet e pavarur.

Kategoritë
BotaLajme