Reforma zgjedhore – Lista Serbe e bojkoton Komisionin, buxheti prej 5 mijë € i pamjaftueshëm

Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë, ka shqyrtuar planin e punës së Komisionit, dhe kërkesën për buxhet, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i Komisionit Abeladard Tahiri, ka propozuar që mos të krijohen grupe punuese, por barrën ta kenë deputetët, përderisa shtoi se do ta ketë të vështirë ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet për shkak të mungesë së Listës Serbe.

“… ndryshimet në Ligjin për zgjedhjet lokale do të jenë të vështira se nuk po merr pjesë Lista Serbe, do të jemi të limituar në këtë drejtim. Në të kaluarën jo pak herë kemi parë që këto grupe këshilldhënëse kanë krijuar situata ku e kanë zvarritur procesin”.

“Si propozim kam emërimin e këshilltarëve që barrën ta kemi ne si deputetë dhe të mos krijojmë grupe tjera punuese. Besoj se mund ta përmbyllim për 6 muaj meqë nuk do të kemi ndryshime Kushtetuese. Do të jemi të limituar sa i përket ndryshimeve që do t’i bëjmë”.

Buxheti i Komisionit parashihet të jetë 5 mijë euro, sikurse i komisioneve funksionale, por sipas Tahirit ky buxhet nuk është i mjaftueshëm.

“Normalisht nuk e shohë si një buxhet të mjaftueshëm për këtë Komision, e di që sipas praktikave janë ndarë diku 5 mijë euro”.

Ai ka thënë se është bërë planifikim që Komisioni ta përfundojë angazhimin deri më 31 janar.

Avdullah Hoti i LDK-së, ka thënë se është dakord që të mos kenë nevojë për një trupë këshilldhënëse.

“Edhe unë jam dakord ne jemi përfaqësues të partive politike dhe nuk kemi nevojë edhe për një trupë këshilldhënëse”.

Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi ka thënë se është dakorduar që Komisioni ad-hoc për reformën zgjedhore të veprojë si trupë konsensuale.

“Ky komision e ka mandatin e definuar për përforcimin e procesit zgjedhor. Jam dakord që si komision ta bartim barrën e punës për trajtimin e ligjit për zgjedhje të përgjithshme”.

“Ligji për zgjedhjet lokale kërkon procedurë tjetër të ndryshimit. Megjithatë e kemi mundësinë që aspektet organizative t’i adresojmë nëpërmjet Ligjit për zgjedhje të përgjithshme. Jemi dakorduar që ky komision të veprojë si trupë konsensuale”.

Kategoritë
LajmeVendi