Regjimi i rrëzuar në Siri përdori 72 lloje të torturave në më shumë se 50 qendra

Sipas Rrjetit Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR), forcat e regjimit të përmbysur gjatë luftës civile, kanë arrestuar të paktën 1.2 milion sirianë dhe ndaj tyre kanë zbatuar tortura të ndryshme

Gjatë sundimit të regjimit Baath që u rrëzua në Siri, përveç se në burgun “Sednaya” mijëra njerëz u torturuan edhe në dhjetëra qendra të tjera, raporton Anadolu.

Që nga fillimi i kryengritjes popullore në Siri në mars të vitit 2011, sipas të dhënave (regjistrave) regjimi i rrëzuar Baath ka torturuar dhe vrarë mijëra njerëz. Por, ka shqetësim se arrin në dhjetëra mijëra numri i atyre që nuk janë regjistruar.

Sipas të dhënave nga Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR), forcat e regjimit të përmbysur gjatë luftës civile, kanë arrestuar të paktën 1.2 milion sirianë dhe ndaj tyre kanë zbatuar tortura të ndryshme.

Regjimi shpalli më shumë se 20 të ashtuquajtura vendime amnistie gjatë gjithë luftës civile, por sipas organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut regjimi vazhdoi të arrestonte sirianët. Shumë raporte ndërkombëtare thonë se regjimi i ka vrarë personat e arrestuar përmes torturave dhe se njësitë e sigurisë janë kthyer në qendra torture.

Agjencia Anadolu (AA) ka përpiluar qendrat e torturës dhe metodat e regjimit Baath, i cili u shemb pas 61 vitesh në Siri.

Sipas raportit të përgatitur nga SNHR ekskluzivisht për AA, qendrat ku regjimi i ndalonte dhe torturonte opozitarët ndahen në burgje civile, burgje ushtarake, qendra të fshehta jozyrtare të paraburgimit dhe së fundmi qendra të paraburgimit dhe marrjes në pyetje të njësive të sigurisë.

Këto qendra numri i të cilave është mbi 50, u krijuan pothuajse në të gjitha qytetet e vendit.

– Burgjet e regjimit në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme

Puna e parë e grupeve që përmbysën regjimin Baath në qytetet që morën nën kontroll, ishte të shpëtonin njerëzit, kryesisht opozitarët nga burgjet ku mbaheshin.

Në këtë kontekst u liruan të burgosurit në Burgun Qendror të Halepit, Burgun Qendror Hama, Burgun Qendror Adra në Damask, Burgun Qendror të Homsit dhe Burgun Qendror të Suwayda.

Ndërsa të burgosurit në burgjet qendrore në Tartus dhe Latakia presin të lirohen. Në këto burgje të lidhura me Ministrinë e Punëve të Brendshme të regjimit të rrëzuar mbaheshin edhe të akuzuarit për terrorizëm.

– Burgjet ushtarake u bënë qendra të krimit të regjimit

Dhjetëra mijëra njerëz u torturuan për vite në burgjet e lidhura me Ministrinë e Mbrojtjes të regjimit të rrëzuar Baath.

Në mesin e këtyre burgjeve për sa i përket torturave kryesojnë Sednaya, Al-Mezzeh dhe Kabun në Damask, Balone dhe Tedmur në Homs, ndërkohë që për shumicën e njerëzve të mbajtur këtu nuk ka lajme prej vitesh.

Pasi grupet e armatosura përmbysën regjimin u liruan gjithashtu edhe të burgosurit në Al-Mezzeh dhe Kabun. Burgu Al-Mezzeh, i vendosur në aeroportin ushtarak në rajonin Al-Mezzeh të Damaskut menaxhohej nga njësia e inteligjencës ushtarake e lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes.

– Qendrat e paraburgimit sekrete dhe jozyrtare

Kishte edhe qendra që ishin pothuajse sekrete ku regjimi ndalonte opozitarët.

Sipas SNHR-së dhe organizatave të tjera për të drejtat e njeriut, qëllimi i qendrave sekrete të paraburgimit të krijuara ishte që të bëheshin tortura më të rënda. Ata që binin në qendra të tilla torture nuk kishin asnjë shans për të shpëtuar.

Këto qendra ishin të lidhura me Kompaninë e 4-t, e komanduar nga Mahir Assad, vëllai i udhëheqësit të rrëzuar Asad. Regjimi, veçanërisht në fillim të vitit 2012 i ktheu disa shtëpi, vila dhe stadiume në qendra paraburgimi.

Kampi “Deir Shmeil” i vendosur në veriperëndim të Hama-s, ishte një nga këto qendra paraburgimi.

– Qendrat e paraburgimit dhe torturës të njësive të sigurisë

Së fundmi, qendrat e ndalimit dhe marrjes në pyetje të njësive të sigurimit të regjimit ishin shumë efektive për çështjen e torturës dhe ndalimit. Njësitë e sigurisë përbëheshin nga 4 shërbime kryesore të inteligjencës.

Këto njësi përbëheshin nga Shërbimi Informativ Ushtarak i njohur ndryshe si “Sigurimi Ushtarak”, Shërbimi i Sigurisë Politike, Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës e njohur edhe si “siguria e shtetit” si dhe Drejtoria e Inteligjencës Ajrore. Shërbimi Informativ Ushtarak i cili kishte rrjetin më të madh në vend, kishte të paktën 20 degë.

Në mesin tyre përfshihen Dega e Palestinës (235), Dega e Qarkut (227), Dega e Hetimit Ushtarak (248), Dega e Njësisë së Bastisjes (215), Dega e Patrullës, Inteligjenca e Frontit, Dega Administrative, Dega e Oficerëve, Dega e Sigurisë së Forcave, Dega Teknike, Dega e Komunikimit, Dega Radio-marrëse, Dega e Provincës Halep, Dega e Provincës Idlib, Dega e Provincës Hama, Dega e Provincës Homs, Dega e Provincës Dera, Dega e Provincës Hasakah, Dega e Provincës Deir ez-Zor dhe Dega e Rajonit të Shkretëtirës.

Ndërsa Shërbimi i Sigurisë Politike teksa kishte degë në shumicën e provincave, ai kishte në Damask degë të Hetimit, Informacionit, Partive dhe Degën e Arabëve dhe të Huajve.

Drejtoria e Përgjithshme e Inteligjencës kishte 6 baza kryesore në Damask. Drejtoria e Inteligjencës Ajrore renditet e dyta për sa i përket arrestimeve, pas Shërbimit Informativ Ushtarak. Drejtoria e cila kishte degë pothuajse në të gjitha qytetet, ishte veçanërisht aktive në qytetet me aeroporte ushtarake.

Këto njësi ishin të përfshira nën ombrellën e Byrosë Siriane të Sigurisë Kombëtare, e cila u krijua në vitin 2012. Shërbimi Informativ Ushtarak i regjimit i lidhur me Ministrinë e Mbrojtjes, vepronte si agjencia kryesore përgjegjëse për arrestimet në vend.

Personat e ndaluar në këto degë të cilat kryesisht përdoreshin si qendra ndalimi dhe torture, pasi mbaheshin për disa ditë transferoheshin në qendrën kryesore në Damask. Të transferuarit në Damask mund të qëndronin për vite këtu. Ndërsa njësitë e sigurisë thuhet se kanë më shumë se 45 degë paraburgimi në të gjithë vendin dhe se 18 prej tyre ndodhen në Damask.

– Regjimi përdori 72 lloje të ndryshme të torturave

Sipas raportit të SNHR-së, regjimi Baath përdori 72 lloje të ndryshme torturash, përfshirë dhunën fizike, psikologjike dhe seksuale. Regjimi ka praktika që shkelin të drejtat e njeriut, si puna e detyruar dhe lënia e të paraburgosurve vetëm në qeli.

Në mesin e praktikave të torturës fizike të regjimit përfshihen metoda çnjerëzore si, derdhjen e ujit të vluar në pjesë të ndryshme të trupit të viktimës, dhënien e ndjenjës së mbytjes duke zhytur kokën e viktimës në ujë, goditjen me rrymë të trupit të viktimës me shkop elektrik, goditjen me rrymë të viktimës përmes uljes lakuriq në një karrige metalike, djegien e një qeseje duke e lënë të pikojë në trupin e viktimës, fikjen e cigares në trup, djegie të gishtave, flokëve dhe veshëve të viktimës me shkrepëse, djegie të lëkurës duke prekur pjesë të ndryshme të trupit me metal të nxehtë, hedhja e vajit të nxehtë në trup, hedhjen e pesticideve të ndezshme mbi trup.

Po ashtu në mesin e metodave të torturës së regjimit janë identifikuar edhe torturat si heqja e thonjve dhe këmbëve me objekte të ngjashme me pincë, këputja e flokëve, këputja e gjymtyrëve përfshirë veshët dhe organet gjenitale me mjete prerëse si gërshërë si dhe gozhdimi në pika të ndjeshme të trupit si duart, gjuha dhe hunda.

– Të gjithë sytë u kthyen nga burgu “Sednaya”

“Sednaya”, ku mendohet se janë mbajtur dhjetëra mijëra njerëz, njihet si burgu më famëkeq në Siri. Pas ngjarjeve në Siri në mars të vitit 2011, ky burg u shndërrua në një bazë ku u torturuan dhjetëra mijëra njerëz, kryesisht të burgosur politikë.

Pas rënies së regjimit 61-vjeçar Baath më 8 dhjetor, të gjithë sytë u kthyen nga situata e të burgosurve në burgun “Sednaya” në Damask. Edhe pse disa nga të burgosurit në objekt u panë në kamerat e sigurisë, mosgjetja e tyre në zonat e aksesueshme, rriti mundësinë që ata të ndodheshin në ndarje të fshehta nën tokë.

Ndërkohë që ekipet vazhdojnë të punojnë duke hapur tunele dhe duke thyer mure, edhe sirianët të cilët nuk kanë asnjë lajm për të afërmit e tyre në burg prej vitesh, kanë mbërritur në burgun i cili identifikohet me torturën dhe kërkojnë gjurmë të të afërmve të tyre.

Kategoritë
BotaLajme