Regjimi sirian ia dorëzoi grupit terrorist PKK/YPG kontrollin e qendrës së qytetit Deir ez-Zor

Burimet lokale thanë se regjimi po planifikon të zhvendosë forcat e tij nga Deir ez-Zor në Damask, me synimin për të mbajtur një prani të kufizuar ushtarake në një zonë të qytetit

Regjimi sirian i ka dorëzuar grupit terrorist PKK/YPG kontrollin e qytetit Deir ez-Zor që ndodhet afër kufirit me Irakun, transmeton Anadolu.

Ky veprim vjen pas largimit të forcave siriane nga disa zona kyçe në rajon.

Vendimi i regjimit për të hequr dorë nga kontrolli vjen mes presionit në rritje nga grupet kundër regjimit, duke përfshirë koalicionin e udhëhequr nga Hay’at Tahrir al-Sham (HTS), i cili ka intensifikuar praninë e tij në Idlib, Halep, Hama dhe Homs.

Forcat siriane janë përgjigjur duke lëvizur disa nga trupat e tyre drejt perëndimit për të përforcuar Damaskun.

Tërheqja e regjimit sirian nga Deir ez-Zor, i cili ndodhet në Sirinë lindore pranë kufirit me Irakun, ka rezultuar në një ndryshim strategjik të kontrollit.

Forcat siriane u tërhoqën nga disa fshatra, duke përfshirë fshatrat Murrat, Hasham, Mazlum, Tabiyye, Huseyiniyye, Salihiyye dhe Hatla, duke i lënë ato në duart e PKK/YPG-së.

Grupi terrorist mori gjithashtu kontrollin e Aeroportit Ushtarak në Deir ez-Zor.

Burimet lokale thanë se regjimi po planifikon të zhvendosë forcat e tij nga Deir ez-Zor në Damask, me synimin për të mbajtur një prani të kufizuar ushtarake në një zonë të qytetit.

Burimet thonë se aktualisht grupet e mbështetura nga Irani kontrollojnë zonën nga qendra e qytetit Deir ez-Zor deri në distriktin Al-Bukamal, i cili është afër kufirit Siri-Irak.

Teksa grupi terrorist PKK/YPG i mbështetur nga SHBA-ja kontrollon pothuajse të gjithë territorin në lindje të lumit Eufrat, regjimi i Asadit dhe fraksionet e mbështetura nga Irani kishin nën kontroll qendrën e qytetit dhe zonat përreth rurale të Deir ez-Zor.

Përleshjet midis forcave të regjimit sirian dhe grupeve kundër regjimit shpërthyen më 27 nëntor në periferinë perëndimore të Halepit.

Deri më 30 nëntor, forcat e armatosura kishin marrë kontrollin e pjesës më të madhe të qendrës së qytetit të Halepit dhe kishin vendosur dominimin në të gjithë provincën Idlib.

Dje, forcat kundër regjimit morën kontrollin e qendrës së qytetit të Hamës pas luftimeve intensive.

Më 1 dhjetor, Ushtria Kombëtare Siriane nisi operacionin “Agimi i Lirisë” kundër grupit terrorist PKK/YPG në lagjen Tel Rifaat të fshatit të Hapelit, duke çliruar zonën nga elementët terroristë.

Kategoritë
BotaLajme