Regjimi sirian po rekruton me forcë burra, përfshirë të mitur, në shumë pjesë të Damaskut

Forcat e regjimit po bastisin shtëpitë në disa rajone të Damaskut dhe po intensifikojnë aktivitetin në pikat e kontrollit që kanë krijuar, duke ndalojnë burra, përfshirë të rinjtë e mitur, dhe duke i detyruar ata të shkojnë në shërbimin ushtarak

Në Siri, forcat e regjimit të Bashar Asadit po rekrutojnë me forcë burra, përfshirë të mitur, në shumë rajone të kryeqytetit Damask, raporton Anadolu.

Sipas informacionit që korrespondentët e Anadolu-s kanë marrë nga burime në terren, forcat e regjimit po bastisin shtëpitë në rajonet Yalda, Beit Sahm dhe Ghouta Lindore të Damaskut dhe po intensifikojnë aktivitetin në pikat e kontrollit që kanë krijuar.

Me këto praktika, forcat e regjimit ndalojnë burra, përfshirë të rinjtë e mitur, dhe i detyrojnë ata të shkojnë në shërbimin ushtarak.

Mësohet se gjatë bastisjeve të kryera nga policia ushtarake e regjimit, batalionet e Baathit dhe forcat e inteligjencës, të mitur si dhe burra që kishin mbushur moshën ushtarake ose ishin ushtarë rezervë u nxorën nga shtëpitë e tyre dhe u dërguan në objektet ushtarake dhe pikat e grumbullimit.

Teksa ndalimet kryhen edhe në pikat e kontrollit të vendosura në këto rajone, thuhet se janë rreth 1.700 burra të ndaluar në këtë mënyrë në Ghoutan Lindore.

Pasi Halepi ra nën kontrollin e grupeve të armatosura kundër regjimit, ata që u arratisën nga fshatrat e Halepit dhe shkuan në Damask gjithashtu arrestohen nga forcat e regjimit.

Përveç kësaj, ndërsa thuhet se shumë burra janë rekrutuar me forcë në qendër të qytetit të Damaskut, ende nuk ka informacion të qartë për numrin e të arrestuarve në qendër.

Ka më shumë se 400 fshatra në rrethinat e Damaskut dhe numri i burrave të rekrutuar me forcë pritet të rritet.

– Frika mbizotëron te banorët e Damaskut

Burimet thanë se të rekrutuarit nuk mund të flisnin ose të reagonin për atë që ndodhi nga frika dhe se prindërit e tyre nuk mund t’i kundërshtonin forcat e regjimit.

Duke thënë se bastisjet shkaktuan frikë dhe ankth të madh në publik, burimet thanë: “Njerëzit nuk guxojnë të flasin apo të bëjnë asgjë. Ata që janë të ndaluar dërgohen direkt në objektet ushtarake ose pika grumbullimi si Direyj dhe të gjithë merren për shërbimin e detyrueshëm ushtarak”.

Burimet thanë se banorët e Damaskut kishin frikë të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të ngjarjeve dhe dilnin vetëm për të plotësuar nevojat e tyre thelbësore.

Gjithashtu thuhet se zhvillimet në Siri gjatë javës së fundit kanë bërë që kushtet ekonomike në rajon të përkeqësohen.

Kategoritë
BotaLajme