Regjistrohen incidente në komunat me shumicë serbe Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut

“Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potokut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente, por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente”, thuhet në njoftimin e policisë

Në dy komuna me shumicë të komunitetit serb në veri të Kosovës, respektivisht në Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, policia kosovare ka regjistruar disa incidente të cilat dyshohet të jenë shkrepje armësh e shpërthime gjatë procesit të përgatitjes për zgjedhjet e 18 dhjetorit në këto komuna, transmeton Anadolu Agency (AA).

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se pjesëtarë të saj kanë shoqëruar zyrtarët e Komisionit Komunal Zgjedhor në zyrat e këtij komisioni, të cilat ndodhen në komunat Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut, me qellim të kryerjes së detyrave dhe kompetencave të tyre ligjore, por kanë hasur në protesta të cilat kanë shkaktuar dëme materiale.

“Në orët e para të pasdites së sotme, në disa zona të Zubin Potokut dhe Mitrovicës Veri janë regjistruar disa incidente (dyshohet shkrepje armësh e shpërthime), por deri në këto momente nuk janë raportuar lëndime nga këto incidente, përderisa raportohet se protestuesit kanë demoluar zyrat e komisionit komunal zgjedhor”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia e Kosovës gjithashtu njoftoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), bazuar në kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe bazuar edhe në bashkëpunimin ndërinstitucional i ka bërë paraprakisht kërkesë Policisë së Kosovës për asistencë rreth përgatitjeve për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në komunat në veri të vendit, të cilat do të mbahen më 18 dhjetor në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Më herët, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, konfirmoi për AA-në se zyrtarët komunal të zgjedhjeve nën përcjelljen e Policisë së Kosovës “shkuan në zyrat e tyre në Mitrovicë të Veriut dhe në Zubin Potok me qëllim të ushtrimit të detyrave zyrtare, por kjo nuk ishte e mundur”.

Deri te zgjedhjet në katër komunat me shumicë serbe erdhi pas dorëheqjes së zyrtarëve të partisë më të madhe serbe në Kosovë, Listës Serbe, nga institucionet kosovare, përfshirë Policinë, gjyqësorin, prokurorinë, Kuvendin e Kosovës dhe pozitat e kryetarëve të komunave, si reagim ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale që qarkullojnë ende në territorin e Kosovës.

Lista Serbe ka deklaruar se nuk do të bëhet pjesë e procesit zgjedhor të 18 dhjetorit dhe asnjë kandidat nga kjo parti nuk është në garë për pozitën e kryetarit të komunës.

Kategoritë
LajmeVendi