Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar mbrëmë në një darkë pune, komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Enrico Barduani, me të cilin u diskutuan çështje të sigurisë në vend.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani në këtë takim nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm për një Kosovë të sigurt dhe stabile, si parakusht për zhvillim e prosperitet, ndërsa rikonfirmoi rëndësinë e koordinimit ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë, për çështje të sigurisë, me qëllim të mbrojtjes së të gjithë qytetarëve tanë dhe mbrojtjes së sovranitetit të vendit.
Në këtë linjë, Presidentja Osmani vazhdon të ketë takime të rregullta me komandantin e KFOR-it, me qëllim të thellimit të bashkëpunimit me partnerë të sigurisë, veçanërisht me NATO-n, thekson njoftimi.
Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për KFOR-in, i cili ka shtuar numrin e trupave e të cilët po mbështesin institucionet e Kosovës në patrullim të kufirit me Serbinë.
Osmani në takim po ashtu ripotencoi rreziqet që vijnë nga taktikat destabilizuese të Serbisë, sidomos për shkak të mungesës së dhënies së përgjegjësisë nga ana e Serbisë, si për aktin e agresionit të shtatorit 2023, ashtu edhe për sulmet ndaj KFOR-it, në maj 2023.
“Ndër të tjera, në këtë takim, Presidentja Osmani dhe komandanti Barduani pohuan angazhimin e tyre të përbashkët për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët, duke pranuar se bashkëpunimi dhe besimi i ndërsjellë janë bazë për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm”, thuhet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.
Për takimin me Osmanin, mbrëmë ka lëshuar një komunikatë edhe KFOR-i.
Sipas njoftimit, Barduani ka përsëritur përkushtimin e palëkundur të KFOR-it për një Kosovë paqësore dhe stabile nëpërmjet zbatimit të mandatit të tij të gjatë në OKB.
Ai gjithashtu nënvizoi bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe të mirë të KFOR-it me organizatat e sigurisë së Kosovës dhe rëndësinë e komunikimit dhe koordinimit të rregullt, në dobi të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe të stabilitetit rajonal.
Barduani vuri në dukje bashkëpunimin e ngushtë të KFOR-it me BE-në në terren, duke përfshirë mbështetjen për dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, u tha në kumtesë. /Reporteri.net/