Rendi i Asociacionit, cila është historia e marrëveshjes për të cilën ngulmon Serbia

Asociacioni duhet të formohet, thonë ndërkombëtarët dhe ky është qëndrim i prerë Washingtonit pas ngjarjeve të fundit në veri të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti ia ka hapur dyert diskutimit të kësaj çështjeje në Bruksel edhe pse në të kaluarën e kishte kundërshtuar me protesta. Ky mund të jetë viti kur kjo çështje mund ta ketë një epilog. Por cila është historia e ujdisë që ka shkaktuar telashe në Kosovë dhe ne raport me Serbinë e tash edhe me Uashingtonin e Brukselin?

Barrikadat në veri më në fund u hoqën dhe tani pritet të flitet për problemet e mëdha mes Kosovës dhe Serbisë. Kryeministri Albin Kurti krejt në fund të vitit tha se nuk ka dhënë garanci për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në këmbim të zhbllokimit të rrugëve.

“Nuk ka garanci të tilla nga Qeveria e Kosovës. Asociacioni i komunave u bë asociacion i barrikadave. Ata i duan komunat që t’i bëjnë si barrikada. Ashtu siç i bënë 16 barrikada bashkë, duan që t’i bëjnë 10 komuna bashkë”, tha ai

Viti që sapo mbaroi u karakterizua me shumë tensione në veri të vendit dhe barrikadat ishin kryefjala. Pas çdo tensioni atje, përfaqësuesit e serbëve theksonin se e duan një asociacion të komunave ku janë shumicë. Edhe ndërkombëtarët kërkonin që Kosova ta zbatonte marrëveshjen, duke ia kujtuar se ka obligim ndërkombëtar për këtë.

Në muajin e fundit të vitit, veriu u bllokua për 19 ditë pasi grupet e serbëve në atë pjesë kishin ngritur barrikada. Asociacioni ishte përmendur si një nga kushtet për heqjen e tyre, por mjaftoi lirimi në arrest shtëpiak i ish-policit serb të Kosovës, Dejan Pantiq, arrestimi i të cilit për sulm terrorist ndaj institucioneve u përdor si pretekst për protestat.

Në tetor, SHBA-ja dhe BE-ja prisnin dhe besonin se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani do ta zbatojnë shumë shpejt marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, pasi emisarët Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak kishin qenë në Prishtinë. Ata erdhën disa herë gjatë vitit 2022, në një përpjekje për t’i intensifikuar bisedimet dhe gjithmonë duke kërkuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të mërparshme.

Për SHBA-në, Asociacioni nuk duhet të bie ndesh me Kushtetutën e Kosovës. Për Escobarin është e qartë se Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, ligjet dhe të mos ndikojë në funksionalitetin e shtetit.

“Mendoj se do të jetë një element i rëndësishëm. Është një zotim që tashmë ekziston. Mendoj se është zotim i rëndësishëm dhe që duhet të përmbushet. Në mëngjes fola me Presidenten për mënyrat e ndryshme se si Kosova mund ta krijojë Asciacionin që të jetë situatë ‘win-win’, sikurse për komunitetin në veri, ashtu edhe për vetë Kosovën”, pati thënë Escobar në një nga vizitat e tij në Kosovë.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier tha në një takim me gazetarë në prag të vitit të ri se “themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe s’ka alternativë”, duke theksuar se ky është qëndrim i Washingtonit.

Ai tregoi se Qeverisë ia kanë bërë të ditur se Asociacioni duhet formuar. “Por nuk duhet të bëhet në një mënyrë që është kundër me Kushtetutën aktuale të Kosovës, apo nuk duhet të bëhet në kundërshtim me vendimin e vitit 2015 të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hovenier.

SHBA beson se ka hapësirë që Asociacioni të bëhet dhe të funksionojë mirë, pa e cenuar shtetin, ndërkohë që kryeministri vazhdon të paraqitet i pabindur për këtë. Kurti në të kaluarën kishte thënë se Asociacioni është “një shtet brenda shtetit”, ndonëse më nuk e përdor termin “Zajednicë”. Por, shefi i qeverisë pas presionit diplomatik nuk ka më një qëndrim të ngurtë duke thënë se Serbia mund ta shtrojë si temë në bisedime.
“Le ta bëjë në kuadër të dialogut që duhet ta zhvillojmë në Bruksel”, ka thënë Kurti.

Diplomati më i prerë deri më tash rreth kësaj teme ka qenë Ambasadori Christopher Hill. Nga Beogradi ai ka thënë se “tash pyetja nuk është nëse do të ketë Asociacion të Komunave me Shumicë Serbe, por si do të funksionojë dhe si do të implementohet.”

Duke folur rreth Asoacionit, Hill ka thënë se Kurtit i është bërë e qartë se s’ka marrëveshje tjera “pa e zgjidhur çështjen e të drejtave kolektive të serbëve”.

Marrëveshja për formimin e një Asociacioni që do t’i bashkonte dhjetë komunat e banuara me shumicë nga serbët u nënshkrua në vitin 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Cila ishte marrëveshja?

Në prill të vitit 2013, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshjen e parë drejt normalizimit të marrëdhënieve, në bazë të së cilës qëndronte krijimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Marrëveshja ishte negociuar mes kryeministrave të atëhershëm në Kosovë dhe Serbi, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq.

Sipas marrëveshjes, Asociacioni do të krijohej me statut dhe do të themelohej mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të komunave të Kosovës: do të kishte ketë kryetar, zëvendëskryetar, asamble dhe këshill.

Asociacioni parashikohej t’i përfshinte këto komuna: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Ky asociacion parashihej të kishte qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural dhe do të ushtronte edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si do të delegoheshin nga autoritetet qendrore.

Marrëveshja tjetër

Federica Mogherini, sa kishte qenë në krye të diplomacisë së Europës, e kishte nënshkruar një letër më 24 gusht të vitit 2015, ku zotohej se Asociacioni – parimet e përgjithshme të të cilit do të nëshkruheshin të nesërmen nga Kosova dhe Serbia – nuk do të kishte kompetenca ekzekutive.

Kjo garanci atëherë, përmbushte ‘kushtin’ vendimtar të ish-kryeministrit Isa Mustafa për ta nënshkruar dokumentin e parimeve të Asociacionit më 25 gusht 2015.

Mustafa dhe homologu i tij atëherë, Aleksandar Vuçiq, i hodhën nënshkrimet në letër, me një pikë me rëndësi: që ajo që ishte nënshkruar të “kontrollohej” nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Kaluan vetëm dy muaj dhe ajo marrëveshje u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese. Atje e çoi presidentja e atëhershme, Atifete Jahjaga.

Çfarë tha Gjykata Kushtetuese për Asociacionin?

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin, në 23 pika të saj, nuk ishte në harmoni me Kushtetutën e vendit.

Kushtetuesja kishte konstatuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe duhet të themelohej siç ka qenë i paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit (të vitit 2013). Kurse Marrëveshja mbi parimet (për themelimin e Asociacionit, e arritur më 2015), Kushtetuesja tha se nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Sipas instancës më të lartë gjykuese në vend, akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që zbaton parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet t’i plotësojnë standardet kushtetuese.

Pika më e diskutueshme, në fakt, është se Asociacioni nuk bazohet në multietnicitet, por bashkon komuna në të cilat një komunitet etnik është shumicë.

Në tetor në media u publikua një dokument i cilësuar si draft-statut për Asociacionin, i përpunuar nga ekspertë gjermanë.

Drafti i publikuar në disa media thoshte se Asociacioni është “një entitet ligjor, i themeluar në linjë me Ligjin e ratifikimit të marrëveshjes së parë dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

Një tentim në vitin 2018

Qeveria e udhëhequr atëherë nga Ramush Haradinaj, në vitin 2018 kishte bërë disa hapa drejt formimit të Asociacionit

Për hartimin e statutit për Asociacionin ishte angazhuar një ekip menaxhues i përbërë prej katër zyrtarëve serbë. Ky ekip kishte afat deri më 4 gusht të vitit 2018 që të dërgonte në Bruksel draftin e parë të statutit për Asociacion.

Institucionet atëherë kishin thënë se nuk kishin pranuar një draft të tillë dhe se nuk kishin informacione nëse ky dokument i ishte dorëzuar BE-së.

Ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit në Qeveri të Kosovë kishte dorëzuar vetëm procesverbalet. Përmes këtyre procesverbaleve, ky ekip e ka pasur për detyrë ta njoftojë Qeverinë për procesin e hartimit të statutit.

Pranimin apo jo të një propozim-dokumenti të tillë nuk e kishin pohuar e as mohuar në Bruksel.

BE-ja s’garanton

Zotimi i Federica Mogherinit se Asociacioni s’do të kishte kompetenca ekzekutive duket se s’është më i vlefshëm.

Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, në dhjetor të vitit 2021 i tha Gazetës Express se nuk i takon BE-së të vendosë se çfarë kompetenca mund t’i jepen ose jo Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Për këtë do të dakordohen bashkërisht Prishtina dhe Beogradi në kuadër të diskutimeve të tyre për këtë temë”, thoshte ai.

Statuti i Asociacionit, sipas BE-së, do të negociohej nga palët, ndërsa në Bruksel nuk e përjashtonin mundësinë e plotësimit apo ndryshimit të ndonjë norme të Kushtetutës për ta arritur qëllimin. Ky qëndrim nuk dihet nëse ka ndryshuar.

“Kosova ka marrë një zotim ndërkombëtar, përmes Marrëveshjes së Brukselit (të ratifikuar me 2/3 në Kuvendin e Kosovës) për ta krijuar një asociacion/bashkësi të komunave serbe. I takon Beogradit dhe Prishtinës që të negociojnë statutin e saj, me lehtësimin e BE-së. Nëse amendamentet kushtetuese dhe legjislative janë të nevojshme për ta krijuar asociacionin/bashkësinë, varet nga ajo për çfarë palët janë në gjendje të merren vesh”, kishte thënë zëdhënësi i BE-së, Stano.

Kategoritë
LajmeVendi