Rënia e PBB-së gjermane në tremujorin e fundit. Gjermanët shpenzojnë gjithnjë e më pak

Ekonomia e GJERMANISË u tkurr në tremujorin e katërt të vitit të kaluar më fort seç treguan vlerësimet e para për shkak të krizës së energjisë dhe çmimeve të larta që shtrydhën konsumin nga familjet dhe kompanitë, njoftoi zyra e statistikave. Nga tetori në dhjetor, PBB-ja gjermane u ul me 0.4 për qind krahasuar me tre muajt e mëparshëm, sipas të dhënave të rregulluara sipas çmimeve, sezonale dhe kalendarike, raportoi Destatis.

Vlerësimi i parë tregoi një rënie të aktivitetit me 0.2 për qind. Në tremujorin e tretë, aktiviteti u rrit me 0.5 për qind. Në nivel vjetor, ekonomia u rrit me 0.9 për qind në tremujorin e katërt të vitit të kaluar, sipas kalendarit dhe të dhënave të rregulluara me çmime, konstatoi zyra e statistikave, duke ulur me 0.2 pikë përqindje vlerësimin nga fundi i janarit.

Pas heqjes së masave shtetërore, qytetarët shpenzojnë më pak

“Në fund të vitit, ekonomia u rëndua nga rritja e fortë e vazhdueshme e çmimeve dhe një krizë kokëfortë energjetike. Kjo ishte veçanërisht e dukshme në uljen e konsumit personal (…)”, përfundoi Destatis.

Pas heqjes së masave të ndihmës shtetërore, si zbritjet e karburanteve dhe tarifat e transportit publik prej 9 eurosh, qytetarët ulën shpenzimet në fund të vitit në krahasim me periudhën korrik-shtator, theksoi Enti i Statistikave.

Rënie e eksporteve të mallrave dhe shërbimeve

Konsumi i familjeve është ulur me një për qind krahasuar me tremujorin e verës. Investimet e kompanive në makineri dhe pajisje ranë edhe më shumë, me 3.6 për qind. Rënie kanë shënuar edhe investimet në sektorin e ndërtimit, me 2.9 për qind. Konsumi i qeverisë u rrit me 0.6 për qind krahasuar me tremujorin e tretë.

Eksportet e mallrave dhe shërbimeve ranë me një përqind në krahasim me periudhën nga korriku në shtator, zbuloi Destatis, duke treguar për ndërprerje të vazhdueshme në zinxhirët e furnizimit dhe çmimet e larta të energjisë që rezultuan në “tregtinë më të dobët të produkteve kimike”.

Kategoritë
Ekonomi