Qeveria e Republikës Çeke do të kërkojë që financimi i Radios Evropa e Lirë, e cila ka humbur fondet amerikane pas vendimit të ish-presidentit të SHBA-së Donald Trump, të merret përsipër nga Bashkimi Evropian.
Ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavský, deklaroi se Radio Evropa e Lirë është “zëri i vetëm i pavarur në diktatura si Irani, Afganistani dhe Bjellorusia.”
Ai theksoi se do të zhvillojë bisedime me homologët e tij nga Bashkimi Evropian, me qëllim që të paktën një pjesë e financimit të Radios Evropa e Lirë të merret përsipër nga BE-ja.
Drejtori ekzekutiv i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, vlerësoi se “ndalimi i financimit është një dhuratë për armiqtë e Amerikës.”
“Ajatollahët iranianë, liderët e Partisë Komuniste Kineze, autokratët në Moskë dhe Elon Musk do të festojnë mbylljen e Radios Evropa e Lirë pas 75 vitesh,” deklaroi Capus.
Ai përmendi Elon Musk, sepse sipas të gjitha gjasave, ishte pikërisht ai që propozoi ndalimin e financimit për Agjencinë Amerikane për Mediat Globale, çka solli ndërprerjen e financimit për shumë media, duke përfshirë Radion Evropa e Lirë, ndërsa Zëri i Amerikës u mbyll plotësisht.
Radio Evropa e Lirë ka një audiencë prej 50 milionë dëgjuesish në javë dhe mund të dëgjohet në vende si Rusia, Afganistani, Irani dhe në shtete të tjera brenda dhe jashtë Evropës.