Reshjet e dëborës shkaktuan kaos në Stamboll: Fluturimet dhe mësimi u anuluan, ndërpriten edhe shërbimet e trageteve

Shkollat në Stamboll janë mbyllur, trafiku është ndalur, ndërsa autoritetet kanë lëshuar disa paralajmërime për reshje të reja të dëborës në këtë qytet.

Dëbora filloi të binte dy ditë më parë, por intensiteti i saj u shtua gjatë 48 orëve të fundit, dhe parashikimet tregojnë një situatë të ngjashme edhe sonte.

Guvernatori i Stambollit, Davut Gül, ka njoftuar se të gjitha institucionet arsimore në qytet do të mbyllen sot për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe reshjeve të dendura të dëborës.

Punonjëset shtatzëna në institucionet publike janë lejuar të marrin leje administrative, ashtu si edhe personat me aftësi të kufizuara dhe ata me sëmundje kronike.

Instituti i Përgjithshëm i Meteorologjisë ka lëshuar një paralajmërim të verdhë për Stambollin, Kırklarelın dhe Tekirdağun për shkak të reshjeve të mëdha, erërave të forta dhe ngricave.

Probleme të mëdha janë raportuar edhe në trafik, ku minibusët kanë hasur vështirësi në lëvizje, dhe pasagjerët janë detyruar të ndihmojnë duke shtyrë mjetet.

Shërbimet e trageteve të operuara nga Şehir Hatları janë ndërprerë për shkak të mjegullës së dendur dhe erës së fortë.

Aeroporti Sabiha Gökçen ka anuluar 10% të fluturimeve të sotme për arsye sigurie. Pegasus, Turkish Airlines (THY) dhe AJet kanë anuluar disa fluturime më 11 dhe 12 shkurt për shkak të përkeqësimit të kushteve atmosferike.

Ndër linjat e prekura janë ato midis Stambollit dhe Antalias, Izmirit, Erzurumit, Trabzonit dhe Ankarasë.

Kategoritë
BotaLajme