Zgjidhja diplomatike për luftën në Ukrainë është kthyer në temë kryesore në mbarë botën, për shkak të insistimit të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, që ky konflikt të përfundojë. Megjithatë, aktualisht në tryezë janë dy plane me dallime të mëdha.
Njërin plan e ka hartuar administrata amerikane, e cila këmbëngul në zgjidhje që, siç duket, përputhen me dëshirat e Rusisë dhe presidentit të saj Vladimir Putin.
Nga ana tjetër, zyrtarët evropianë, së bashku me përfaqësues të Ukrainës, kanë paraqitur gjithashtu një plan, për të cilin presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se “gjendet në tryezën e Trumpit”.
Sipas Reuters-it, midis këtyre dy planeve ekzistojnë dallime të mëdha, dhe asnjë prej tyre nuk është pranuar zyrtarisht apo komentuar nga Rusia.
Problemi i parë lidhet me çështjen e territorit. Emisari i Trump-it për Lindjen e Mesme dhe për luftën ruso-ukrainase, Steve Witkoff, autor i planit amerikan, ka përfshirë në marrëveshje njohjen “de jure” nga SHBA e okupimit rus të Krimesë, si dhe “de facto” të rajoneve lindore të Ukrainës të pushtuara nga Rusia.
Ndërkohë, zyrtarët evropianë thonë se të gjitha diskutimet për territorin do të bëhen vetëm pas vendosjes së një armëpushimi 30-ditor, pa asnjë përmendje për dhënie territori Rusisë.
Një tjetër dallim mes planeve ka të bëjë me sigurinë afatgjatë. Plani evropian, i përpiluar në takimet e zhvilluara në Paris dhe Londër, përfshin “garanci serioze sigurie nga SHBA”, të cilat do të “ngjajnë me nenin 5 të traktatit të NATO-s”, që garanton mbrojtje në rast sulmi ndaj Ukrainës.
Gjithashtu, plani evropian parashikon praninë e trupave të aleatëve të Ukrainës “pa kufizime”, gjë që, sipas Reuters-it, do ta “nervozonte” patjetër Putinin dhe Rusinë.
Plani i Witkoff-it flet gjithashtu për “garanci sigurie”, por nuk përmend SHBA-në, vetëm “shtete evropiane të gatshme”. Në planin e tij nuk ka detaje se çfarë do të nënkuptonin këto “garanci sigurie” në këtë kontekst.
Së fundmi, një tjetër dallim i madh ka të bëjë me sanksionet. Witkoff, përmes planit amerikan, kërkon heqjen e plotë të sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë që nga viti 2014 për shkak të aneksimit të Krimesë. Ndërsa plani evropian parashikon heqjen graduale të tyre dhe të drejtën për rikthimin e sanksioneve “nëse Rusia shkel marrëveshjen”.
Vlen të theksohet se asnjë nga këto dy plane nuk është propozuar zyrtarisht, dhe Rusia nuk është shprehur për asnjërin prej tyre, duke refuzuar deri më tani të gjitha planet për armëpushim.