Revista e njohur franceze pretendon: Trump mund të vizitojë Moskën në Ditën e Fitores më 9 maj

Revista e njohur franceze Le Point ka publikuar informacione se Vladimir Putin dhe Donald Trump mund të takohen në Moskë më 9 maj, me rastin e shënimit të Ditës së Fitores ndaj fashizmit.

Sipas burimeve të kësaj reviste, Trump mund të jetë i pranishëm si spektator në këtë ditë të madhe për Putinin, por edhe për të gjithë Rusinë.

“Nëse gjithçka shkon mirë gjatë negociatave, 9 maji do të shënojë triumfin e tyre të madh. Një triumf mbi të gjithë për Putinin, i cili në këtë mënyrë do të forcojë krahasimin e Ukrainës me regjimin nazist”, shkruan revista.

Theksohet gjithashtu se kjo nuk do të ishte hera e parë që një president amerikan viziton Moskën për këtë rast.

“Bill Clinton iu përgjigj ftesës së Boris Jelcinit më 9 maj 1995. Pavarësisht dallimeve të tyre për çështjen e Bosnjës, Iranit apo zgjerimit të NATO-s, të dy presidentët treguan mbështetje të ndërsjellë”, shpjegohet më tej.

Informacioni për një takim të mundshëm mes Trumpit dhe Putinit në Moskë vjen në kulmin e negociatave intensive mes Rusisë dhe SHBA-së për përfundimin e luftës në Ukrainë. Negociatat u zhvilluan në Arabinë Saudite dhe Trump, pas takimit të parë të delegacioneve, deklaroi se Rusia ka avantazh në këtë situatë.

Kategoritë
BotaLajme